Komisioni i Financave kritikon MPJ-në për të gjeturat nga auditori
Prishtinë, 8 dhjetor - Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, të kryesuar nga Faton Topalli, kryetar, u shqyrtua raporti i Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.
I pranishëm në këtë takim, për të dhënë sqarimet e nevojshme në çështjet që u ngritën nga Komisioni, ishte edhe ministri i MPJ-së, z. Enver Hoxhaj.
Raporti i kësaj ministrie është i pamodifikuar, me theksim të çështjes.
Përkitazi me këtë çështje anëtarët e Komisioni paraqitën disa shqetësime për të gjeturat nga auditori në MPJ dhe numëruan një varg mangësish të paraqitura në raport. Mes tjerash përmendën edhe mos mbylljen e shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Komisioni kërkoi edhe sqarime tjera të shumta nga ministri Hoxhaj për mos adresim të problemeve në MPJ për të gjeturat e Auditorit, duke kërkuar me këtë rast që ti kushtojë një kujdes të veçantë implementimit të rekomandimeve të auditorit, me të cilat kërkesa u pajtua edhe ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj me këtë rast u zotua se do të jetë i fokusuar në implementimin e rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, duke sqaruar faktin se MPJ ka përgatitur edhe Planin e Veprimit për të trajtuar dhe adresuar rekomandimet dhe janë duke ndërmarrë masa për implementimin e të gjeturave.
Jam në dijeni për të gjeturat e auditorit dhe në gjashtë muajt e fundit që nga emërimi im në këtë ministri kam përcjellë në baza ditore adresimin e të gjitha çështjeve dhe rekomandimeve.
Kemi një plan veprimi konkret dhe besoj se në vitin e ardhshëm në raportin e ri do të vëreni progresin që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit, tha Hoxhaj.
Krejtësisht në fund, anëtarët e Komisionit rekomanduan që të implementohen këto rekomandime të ZAP-i, si dhe kërkuan që brenda tre muajve të informohet Komisioni për adresimin e rekomandimeve.
Pikë tjetër e rendit të ditës së këtij takimi ishte edhe shqyrtimi Projektligjit nr.05/L-122 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.
Pas një diskutimi të anëtarëve të Komisionit, ata u dakorduan që Komisioni të mbajë një punëtori lidhur me këtë projektligj.