02 Nëntor 2024

Komisioni Evropian vlerëson Programin e Reformës Ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 20 shkurt - Një delegacion i nivelit të lartë nga Komisioni Evropian po viziton Kosovën në një mision vlerësues për Programin e Reformës Ekonomike (PRE).

Delegacioni u takua me Besnik Bislimin, ministër i Financave dhe Transfereve të Kosovës dhe koordinator i Programit të Reformës Ekonomike, si dhe me anëtarë të tjerë të Qeverisë.

Delegacioni i BE-së theksoi se PRE është një përparësi e rritur për Komisionin Evropian dhe do të jetë një element kryesor për ndihmën e ardhshme të BE-së. Delegacioni i BE-së inkurajoi Kosovën që ta përdorë atë si një mjet për konkurrencën dhe rritjen.

Kosova është e përkushtuar të rrisë përpjekjet e saj në luftimin e ekonomisë joformale, ruajtjen e disiplinës fiskale, të vazhdojë me reformat e energjisë në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Gjelbër, rritjen e investimeve në arsim, përmirësimin e kushteve të tregut të punës për gratë dhe të rinjtë në veçanti.

Misioni zë vend në kontekstin e vlerësimeve të PRE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi dhe një takim vjetor shumëpalësh të dialogut me Ministrat e Financave të Shteteve Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së.

Dejvid Kullen (David Cullen), shef i Njësisë për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë për Zgjerim të Komisionit Evropian, theksoi se misioni për Programin e Reformës Ekonomike siguron nivelin më të lartë të angazhimit të politikës ekonomike që BE-ja ka me secilin regjion, ndërsa mbetet si një prioritet i Komisionit Evropian.

"Ne jemi të përkushtuar për t'u angazhuar me ju, si Koordinator të PRE-së, në përgatitjen dhe përcjelljen e këtij procesi dhe llogarisim në një angazhim të fortë të Kosovës për ta bërë PRE-në një instrument të fuqishëm që do të nxisë konkurrencën dhe rritjen ekonomike në Kosovë," tha Kullen.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi shprehi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe falënderoi Komisionin për përkrahjen e vazhdueshme.

Ministri Bislimi gjithashtu informoi Komisionin rreth prioriteve ku ndër to fokus të veçantë kanë: shëndetësia, arsimi, sektori i ujit dhe efiçienca në energji.

Gjithashtu, Ministri Bislimi u shpreh optimist për reforma të cilat do të ndërmarrin në vazhdim të cilat beson që do të reflektojnë një zhvillimin ekomomik përtej asaj që është parashikuar në vitet në vijim, duke ndikuar në uljen e papunësisë dhe krijimin e potencialeve të reja për zhvillim.

Pas takimit u mbajt seanca plenare në mes të Komisionit Evropian dhe Ministrive të Linjes ku u diskutua rreth prioriteve të Qeverisë dhe reflektimi i tyre në Programin për Reforma në Ekonomi.
Që nga viti 2015, të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët e mundshëm i paraqesin Programet vjetore të Reformës Ekonomike (PRE) Komisionit Evropian. PRE-të përmbajnë parashikime makroekonomike afatmesme (përfshirë rritjen e BPV-së, inflacionin, bilancin tregtar dhe rrjedhat e kapitalit), planet buxhetore për tre vitet e ardhshme dhe një agjendë të reformës strukturore. Agjenda e reformës strukturore përfshin reformat për të rritur konkurrencën dhe për të përmirësuar kushtet për rritje gjithëpërfshirëse dhe krijimin e vendeve të punës.

Programi i Reformës Ekonomike është instrumenti kryesor i BE-së për dialog për çështje socio-ekonomike. Qasja e parë themelore për zgjerimin e BE-së inkurajon anëtarët aspirues që së pari të ndjekin bazat ekonomike: stabiliteti makroekonomik, një mjedis i mirëpritjes së biznesit, tregjet funksionuese financiare dhe të punës, nivele të mira dhe cilësi të arsimit, infrastrukturës, inovacionit dhe integrimit ekonomik me BE dhe botën.

Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) që të dy institucionet bëjnë vlerësime të PRE-ve, që i dërgohen Këshillit të Ministrave për diskutime të drejtpërdrejta me vendet e zgjerimit. Të shtatë partnerët e zgjerimit marrin pjesë në një takim shumëpalësh të dialogut me Ministrat e Financave të Shteteve Anëtare të BE-së, BE-së dhe BQE-së në baza vjetore. Pjesëmarrësit miratojnë Konkluzione të Përbashkëta me udhëzime të politikave specifike të vendit për secilin prej vendeve që përshkruajnë përparësitë e politikës ekonomike për 12 muajt e ardhshëm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)