20 Nëntor 2024

Komisioni Evropian shpërblen bizneset kosovare në Bruksel

Bruksel, 25 qershor - Meridian dhe SharrCem u shpërblyen me çmimin Evropian për Përgjegjësi Shoqërore Korporative (CSR) nga Zëvendës Kryetari i Komisionit Evropian, Antonio Tajani, ku së bashku me përfaqësues të bizneseve nga 30 shtete evropiane, festuan të arriturat e tyre në një ceremoni të posaçme të mbajtur në Bruksel.

Të martën, përfaqësues të kompanive Meridian dhe SharrCem, Zëvendësministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe përfaqësues të Rrjetit CSR të Kosovës, ishin pjesëmarrës të ceremonisë së madhe të ndarjes së Çmimit Evropian për CSR në Bruksel.

Pasi që u shpërblyen me çmimin CSR në Kosovë, përfaqësues të kompanive Meridian dhe  SharrCem u ftuan në Bruksel së bashku me 63 fitues të tjerë nga vende të ndryshme evropiane, të cilët u njohën si fitues të çmimit Evropian për CSR.

Zëvendës Kryetari i Komisionit Evropian, Antonio Tajani, ndau çmimin Evropian për CSR në prezencë të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe përfaqësuesëve evropian, ku shpërbleu kontributin e kompanive të cilat përmes aplikimit të parimeve të CSR, demonstruan përkushtim ndaj shoqërisë.

“Puna e shquar e partneriteve fituese vë në pah më të mirën e praktikës së përgjegjësisë shoqërore të korporatave në Europë sot. Kjo tregon që një qasje strategjike ndaj CSR është gjithnjë e më rëndësishme ndaj konkurrencës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe kompanive të mëdha, duke inkurajuar më shumë përgjegjësi shoqërore e të ambientit nga korporatat” cilëson ai.

Përfaqësues të kompanive Meridian dhe SharrCem ishin të pranishëm në këtë ceremoni të mbajtur në Bruksel, pasi që u përzgjodhën si kompanitë më të përgjegjshme ndaj komunitetit dhe shoqërisë kosovare, me projektet “Investimi në Fëmijët në nevojë,” përkatësisht “Bordi Lokal i Pavarur dhe Këshillues.”

Në ceremoni ishte e pranishme edhe Zëvendësministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila u shpreh se përfitimet ekonomike të marrjes së çmimit Evropian për CSR janë të një rëndësie të lartë për Kosovën, duke konkurruar me kompanitë më me renome në Evropë.

Ajo poashtu u rekomandoi kompanive kosovare integrimin e parimeve të CSR në biznesin e tyre, duke e cilësuar CSR si një investim të nivelit të lartë.

Me pjesëmarrjen e tyre në ndarjen e çmimit Evropian për CSR në Bruksel, përfaqësuesit e dy kompanive fituese, Agon Gashi, nga Meridian, dhe Emmanuel Mitsou nga SharrCem, u shprehën të kënaqur që kontributi i tyre ndaj komunitetit kosovar është shpërblyer nga Rrjeti Evropian për CSR, duke premtuar se do të vazhdojnë me aplikimin e praktikave të njejta edhe në të ardhmen.

Kjo skemë e çmimit Evropian për CSR, synon të frymëzojë përsosshmëri në aplikimin e praktikave të CSR përgjatë punës dhe partneriteteve, duke i shtuar një theks të veçantë programeve bashkëpunuese që trajtojnë qëndrueshmërinë në shoqëri nëpërmjet inovacionit; ndërsa Rrjeti CSR i Kosovës është një organizatë joprofitabile, joqeveritare e themeluar me qëllim të përkrahjes së kontributit të zhvillimit për rritje të qëndrueshme ekonomike, përmes promovimit të përgjegjësisë shoqërore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)