Komisioni Evropian ofron 70.5 milion euro për Kosovën
Bruskel, 29 dhjetor - Komisioni Evropian ka miratuar programin për vitin 2016 për Kosovën për dhënien e 70.5 milionë euro për të mbështetur rrugën evropiane të Kosovës.
Në kuadër të Programit për Veprim të Kosovës për vitin 2016, do të mbështeten sektorët e mëposhtëm: demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, konkurrenca dhe inovacioni, arsimi, punësimi dhe politikat sociale.
\"BE-ja është partneri, investitori dhe donatori kryesor i Kosovës dhe kjo ndihmë e re rikonfirmon angazhimin e BE-së ndaj rrugës evropiane të Kosovës\", ka thënë Shefja e Zyrës së BE-së/PPBE Nataliya Apostolova.
Ndihma e BE-së ka krijuar qindra vende pune në Kosovë dhe ka përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovë në shumë fusha duke përfshirë zhvillimin, infrastrukturën, mbështetjen për NMVM-të, mbështjetjen për prodhimin bujqësor, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit, etj ka thënë Apostolova.
Qëllimi kryesor i veprimit në kuadër të demokracisë dhe qeverisjes është mbështjetja e mëtejshme e integrimit të Kosovës në ekonominë globale dhe forcimi i rolit të administratës së Kosovës në promovimin e zhvillimit socio-ekonomik në tregti, lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve dhe forcimi i përafrimit sektorial në përputhje me obligimet e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA).
Përveç mbështetjes së zbatimit të MSA-së, ndihma financiare për vitin 2016 poashtu synon të ndihmojë në zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane e cila u lansua së fundmi.
Veprimi në lidhje me sektorin e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore do ti kontribuojë një shoqërie multi-etnike në Kosovë duke mundësuar një jetesë dhe integrim të qëndrueshëm të personave të zhvendosur në shoqërinë kosovare.
Veprimi në sektorin e arsimit, punësimit dhe politikave sociale synon të përmirësojë regjistrimin dhe përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor dhe të përmirësojë cilësinë e edukimit parashkollor dhe atij fillor në përputhje me Planin Strategjik për Arsimin në Kosovë për vitin 2017-2021.
Kjo ndihmë prej 70.5 milion euro përfshin një program për mbështetjen direkte të buxhetit, duke kontribuar në zbatimin e pakos së reformave të Kosovës, përkatësisht zhvillimin e politikave dhe koordinimin dhe modernizimin e administratës publike.
Kjo ndihmë është pjesë e kontributit financiar të BE-së me vlerë prej 645 milion euro i cili i është dhënë Kosovës gjatë periudhës për vitin 2014-2020. Kosova përfiton edhe nga asistenca e BE-së në kuadër të programit shumë shtetëror IPA II, duke siguruar mbështetje financiare në një shkallë rajonale. Kjo ndihmë kërkon që autoritetet të tregojnë angazhim të vazhdueshëm për të përmirësuar qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.