Komisioni Evropian ndanë grante për zhvillimin ekonomik rajonal
Prishtinë, 19 nëntor - Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka dhënë grantet e para të BE-së për Zhvillim Ekonomik Rajonal (EURED) me të cilat adresohen zhvillimi ekonomik dhe pajtimi në Kosovë. Përkrahja e gjithëmbarshme për këto projekte është më e madhe se 7 milion euro. Zbatimi i projekteve do të bëhet nga komunat dhe organizatat joqeveritare.
Procesi është bërë në bashkëpunim të ngushtë me pesë Agjencitë për Zhvillim Rajonal. Shumica e veprimeve janë të përqendruara në zhvillimin e turizmit, përforcimin e agrobiznesit, përkrahjen për ndërmarrësi dhe krijimin e vendeve të punës.
Dy projekte në rajonin lindor: Zhvillimi ekonomik rajonal në pjesën lindore të Kosovës; Rritja e potencialit ekonomik të Novobërdës, Kllokotit, Ranillugit dhe Shtërpces.
Tri projekte në rajonin verior: Promovimi i bujqësisë, hortikulturës, blegtorisë dhe pemëtarisë; Përkrahja e Iniciativës për Ndërmarrësi; Qendra Rajonale për Biznese Familjare.
Gjashtë projekte për rajonin jugor: Qendra për Zhvillim dhe Kulturë - Europa; Krijimi i Qendrës për Përkrahje të Bizneseve; Pikat e grumbullimit për fruta dhe perime; Përforcimi i konkurrentshmërisë së agrobiznesit dhe zhvillimi i turizmit rural; Përmirësimi i potencialit dhe infrastrukturës turistike; Ndërtimi i Tregut të Gjelbër në komunën e Dragashit.
Katër projekte në rajonin perëndimor: Zhvillimi i rrafshit të Dukagjinit dhe luginës së Rugovës; Iniciativa për përpunimin e qumështit për lidhjen e Kosovës me Evropën; Diversifikimi i aktiviteteve ekonomike në rajonin perëndimor. Projekti për zhvillimin e turizimit Shihemi në Dukagjin.
Zbatimi i katër projekteve nga rajoni qendër është në pritje të aktivizimit të AZHR Qendër nga Bordi Udhëheqës. Si projekte të mundshme janë: Mundësimi i Mjedisit Miqësor për Biznese përmes One Stop Shop dhe Shërbimeve Këshillëdhënëse për Biznese; Përkrahja e Bizneseve dhe Të mësuarit për Rritje; Zhvillimi Ekonomik i Kosovës përmes Cilësisë dhe Rrjetëzimit; Shërbime Trajnimi dhe Instruktimi për Ndërmarrës të Rinj.
Procesi EURED mbështetet në masë të madhe nga hisedarët lokal dhe udhëhiqet nga Kryetarët e Komunave. Kryetarët e Komunave që janë pjesë e Bordeve të 5 agjencive, udhëzojnë komunat drejt gjetjes së projekt-ideve të prekshme dhe të qëndrueshme dhe në mënyrë aktive marrin pjesë në zbatimin e projekteve rajonale.