Komisioni Evropian ndan 63 milionë euro për Kosovën
Prishtinë, 9 nëntor - Komisioni Evropian ka komunikuar se ka alokuar shumën prej 63 milionë eurove si mbështetje Kosovës në implementimin e reformave të dala nga agjenda Evropiane.
Siç thuhet në komunikatën e këtij institucioni, mjete e ndara duhet të shfrytëzohen për reforma në sistemin gjyqësor dhe administratën publike si dhe ndihmën për riatdhesimin dhe reintegrimin e refugjatëve si dhe përmirësimin e shërbimeve korrektuese. Ato gjithashtu do të ndihmojnë nxitjen e zhvillimit të sektorit privat përmes modernizimit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë, përmirësimeve në infrastrukturë dhe investimeve në arsim.
Duke folur për ndihmat e ndara, komisoneri evropian për çështje zgjerimi Stefan Fule ka pohuar se prioritete kyçe të mjeteve në fjalë duhet të jenë reformat të cilat përmirësojnë efikasitetin e sistemit gjyqësor, përmirësojnë administratën publike dhe promovojnë sektorin privat më dinamik dhe më fleksibil.
Kjo jo vetëm se i ndihmon Kosovës që të përafrohet me Bashkimin Evropian, por gjithashtu mëton që të sjellë ndryshime të vërteta në shoqërinë Kosovare e cila i sjell të mira qytetarëve të vendit, ka thënë Fule në prononcimin e tij.
Ndryshe, mjetet financiare që u ndanë sot, janë të përfshira në programin vjetor për Kosovën në instrumentet e paraanëtarësimit të njohur si fondi IPA