Komisionët përkrahin ndryshimin e Ligjit për Buxhetin
Prishtinë, 30 tetor - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka shqyrtuar sot Raportin me amendamentet e Komisionit për Buxhet dhe Financa për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2017.
Me këtë rast, me katër vota pro dhe dy kundër, ky raport mori driten jeshile për procedim të metejmë, duke u vlerësuar se është në përputhje me ligjet në fuqi dhe nga aspekti i kushtetushmërisë.
Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni ka diskutuar lidhur me buxhetin e Institucioneve/Agjensioneve që bien në fushëveprimin e Komisionit për Legjislacion.
Përkitazi me këtë, Komisioni formoi grupin e punës për shqyrtimin e këtyre kërkesave buxhetore për vitin 2018, i përbërë nga anëtarët: Albulena Haxhiu, Korab Sejdiu dhe Hajdar Beqa.
Në fillim të diskutimit, Nehat Idrizi, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kryesues, paraqiti kërkesat e këtij institucioni, duke shprehur shqetësimin e tyre rreth shkurtimit të buxhetit që është paraparë nga qeveria. Me theks të veçantë, u përmenden mallrat dhe shërbimet, kategoria e pagave dhe meditjeve, subvencioneve për të denuarit në mënyrë të padrejtë etj.
Edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës u shpalos mungesa e buxhetit lidhur me pagesën e avokatëve dhe ekspertëve, që u paraqit nga kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj. Ndërkaq, Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, paraqiti disa nga kërkesat buxhetore për këtë institucion. Duke folur lidhur me pagat për zyrtarët e KQZ-së, Halimi kërkoi që të ketë harmonizim të tyre me institucionet tjera të kësaj kategorie. Ndërsa, si shqetësuese ai përmendi edhe hapësirat e papërshtatshme në të cilat ata operojnë, si për objektin në qendrën e rinumërimit.​
Edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, numëroi disa nga kërkesat buxhetore për këtë institucion, për vitin 2018. Me këtë rast, ai përmendi rritjen e stafit dhe kërkesat e këtij institucioni për furnizim me vetura.
Ramadan Gashi, nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, po ashtu prezantoi disa nga kërkesat buxhetore, duke i quajtur si të domosdoshme.
Kërkesa për paga dhe meditje, përfshirja e pozitave të lira gjatë vitit të ardhshëm, mungesa e shpenzimeve kapitale dhe një sërë çështjesh tjera, ngriti edhe Flora Kikaj nga Agjencia për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës.
Në këtë takim, diskutuan edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkaq përfaqësues të Akademisë së Drejtësisë, gjatë prezantimit të tyre, pas renditjes së një varg çështjesh që ndërlidhen me kërkesat buxhetore të këtij insitucioni, ngritën çështjen e mungesës së zyrtarëve ligjorë në këtë institucion, si dhe mungesën e kushteve tjera dhe të një objekti të përshtatshëm.
Krejtësisht në fund, Komisioni kërkoi nga këto institucione që kërkesat e tyre buxhetore t’i procedojnë edhe me shkrim në Komision, deri ditën e enjte, duke theksuar faktin se pas shqyrtimit të tyre nga grupi i punës, do të shikojnë formën dhe mënyrën e përkrahjes nga ta.
Ndërsa, u dakorduan që në njërën nga mbledhjet e Komisionit të ftojnë ministrin e Administratës Publike, për të diskutuar lidhur me hapësirat e papërshtatshme në të cilat operojnë disa nga institucionet e drejtësisë.