KOMF: Më pak asfalt, më shumë mirëqenie për fëmijë
Prishtinë, 17 nëntor - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve nëKosovë, sot ka lansuar publikimin Apo arrijnë paratë e taksapaguesvetek fëmijët në nevojë në Kosovë, Analizë e shkurtër buxhetore mbipolitikat sociale për mbrojtjen e fëmijëve.
Analiza buxhetore mbi politikat sociale për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë shtjellon financimin e politikave aktuale të mirëqenies sociale, me theks të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë. Njëkohësisht ka për qëllim, që përmes rekomandimeve konkrete,të ndikojë në përmirësimin e financimit të shërbimeve dhe skemave sociale përmes ofrimit të opsioneve të mbrojtjes sociale dhe financimit të tyre
Presidentja e KOMF, Blerta Perolli- Shehu, bëri të ditur se, sipas rezultateve të hulumtimit të KOMF, në shikim të parë krijohet përshtypja se financimi në total i politikave sociale ka një lëvizje të vogël, gjithmonë bazuar në mundësitë që kanë komunat, mirëpo nëse futemi më thellë në detaje duke analizuar ndarjet komunale për financimin e këtyre shërbime vërehet një tendencë e rënies së buxhetit pa asnjë shpjegim, përkundër faktit se kërkesa për shërbime sociale është në rritje, gjë që nuk aludon në përmirësimin e mirëqenies në këto komuna.
Për më tepër ky buxhet nuk merr për bazë faktorët bazë si numrin e popullatës, grupmoshat, apo kërkesën e shërbimeve komunale duke e bazuar në koston për shërbime, aq më pak nuk merr për bazë faktorët e rrezikut. Pavarësisht faktit se çdo Komunë ka kërkesa të ndryshme të llojit të shërbimeve bazuar në problemet sociale në të.
Në pamundësi që të sigurohet një mekanizëm i qëndrueshëm për financimin e shërbimeve sociale çështja shndërrohet në problem kritik ekzistencial për mbarëvajtjen e Qendrave për Punë Sociale e për më tepër rrezikohet ofrimi i shërbimeve universale sociale, të cilat përcaktohen me legjislacionin në fuqi, standardet minimale të shërbimeve sociale dhe nga Organizata Botërore e Punës (ILO) e cila në vitin 2012 ka miratuar rregulloren për mbrojtjen sociale Nr. 202 për grupet e rrezikuara me të cilën është vendosur tavani i ulët për mbrojtjen sociale, që do thotë se duhet mbrojtur hapësira fiskale apo financimi për ofrimin e shërbimeve sociale.
Lidhur me këto të dhëna, mendimet e tyre ndanë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesëmarrës në panelin e KOMF sot.
Në ndërkohë mendim rreth kësaj ka dhënë edhe Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë, Znj. Laila Omar Gad e cila tha se investimi në fëmijë është çështje thelbësore për të siguruar realizimin e të drejtave të fëmijëve.
Konventa për të drejtat e fëmijëve vendos obligime ligjore për qeveritë nacionale që të realizojnë të drejtat ekonomike, sociale, civile, politike dhe kulturore në maksimimun e mundshëm bazuar në burimet e tyre të disponueshme.\"
\"Fëmijëria është një dritare unike e mundësive sikurse në çdo vend të botës investimet dhe zgjedhja e politikave të bëra nga institucionet e Kosovës, sot, do të përcaktojnë nëse me qindra dhe mijëra fëmijë do të jenë në gjendje që të arrijnë potencialin e tyre të plotë apo do të përballen në të ardhmen me pabarazi dhe margjinalizim, theksoi Gad.
Sipas hulumtimit, nëse vazhdohet me këtë formë të financimit gjendja mund të keqësohet për aq sa ta sjellë QPS- të në një qendër jofunksionale, e cila duke mos u financuar mjaftueshëm do të ketë performancë më të ulët ose nuk do të mund të ofrojë shërbime sociale ose do të duhej të bënin kompromis me cilësinë e shërbimeve sociale dhe që në të dyja rastet, në rast të inspektimit bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale mund ti merret e drejta e ushtrimit të kompetencës dhe kjo të kthehet në nivel qendror.
Në mënyrë që ky funksion komunal të mos mbetet në mëshirë komunale (duke pasur parasysh financimin në vitet e fundit), sugjerohet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme e financimit brenda Ligjit për Financimin e Pushtetit Lokal.
KOMF ka dhënë dy alternativa si opsione për zgjidhjen e këtij problemi dhe për të siguruar një financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale.
Alternativa e parë: Grant specifik për shërbimet sociale i llojit të mbyllur, e cila është alternativa më adekuate për arsye se siguron një minimum të qëndrueshëm të ofrimit të shërbimeve sociale;
Alternativa e dytë: Ndarje e dedikuar për shërbime sociale në përqindje brenda grantit të përgjithshëm.
Duhet cekur që alternativa e dytë nuk garanton siguri financiare në masë sikurse alternativa e parë.
Për më tepër, Letra e Bardhë2 (2009) ka sqaruar se, përderisa përkufizimet e grupeve në nevojë për mbrojtje sociale mund të ndryshojnë në të gjitha vendet e botës, rasti i Kosovës dhe historia e fundit e saj nga paslufta bënë listen e rreziqeve sociale më komplekse. Këtu përfshihen një numër i madh i grupeve specifike në nevojë për mbrojtje siç janë: fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët me sjellje asociale, fëmijët në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale, fëmijët me marrëdhënie të çrregulluara në familje, personat e moshës së shtyrë, personat me aftësi të kufizuara fizike ose mendore, fëmijët e lënë pas dore dhe të keqtrajtuar, fëmijët në rrezik apo viktima të shfrytëzimit apo abuzimit, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit, personat në varësi nga alkooli ose drogat, etj.
Skema e Asistencës Sociale nuk mjafton për më shumë se 3 javë për mbulimin e shpenzimeve ushqimore si dhe diskriminon fëmijët aftësi të kufizuar të përhershme
Familja me katër anëtare (dy të rritur dhe dy fëmijë) aktualisht i merr 75 Euro në muaj, kurse vlera e shprtës minimale ë ushqimit për këtë familje është 160 Euro në muaj. Kjo i bie që realisht shuma aktuale e asistencës sociale nuk mund të mbulojë më shumë se 3 jave shpenzimet minimale të ushqimit për këto familje.
Ndërkohë, në fushën e mbrojtjes sociale ekziston Ligji Nr. 03/L-022 për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar të Përhershme, ligji i cili ka shënuar një hap të rëndësishëm në mbështetjen e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre, por që nuk garanton mbrojtje gjithëpërfshirëse. Kjo skemë parasheh mbështetje financiare mujore prej 100.00 EUR për familjen që ka fëmijë me aftësi të përhershme të kufizuara. Sipas Ligjit Nr. 03/L-022
Numri i fëmijëve që e gëzojnë këtë të drejtë aktualisht në Kosovë është 3013. Ky numër ndryshon varësisht nga kërkesat që parashtrohen nga QPS-të.
Sipas hulumtimit të KOMF, skema në fjalë llogaritet të jetë diskriminuese për fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi njeh të drejtën në kompensim material vetëm për fëmijët që kanë aftësi të përhershme të kufizuar duke mos përfshirë fëmijët me aftësi të pjesshme të kufizuara. Po ashtu shuma e ofruar sipas këtij ligji, rezulton të jetë e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuar të përhershme.
Skema e Asistencës sociale ka për qëllim garantimin e sigurisë sociale në kuadrin e gjerë të mbrojtjes sociale në Kosovë, në mënyrë që të lehtësohet varfëria me anë të ndihmave sociale për familjet në gjendje të nevojës sociale.
Këto dy skema në fund të vitit 2013 kanë pasur 29,688 përfitues. Rënia e përfituesve është si rezultat i të dhënave të këtyre familjeve të cilat janë evidentuar se nuk kanë përmbushur kriteret për të hyrë në mbrojtje sociale dhe si rezultat është zvogëluar numri total.
Kriteri (i) në Kategorinë e ii, neni 4, ku përcaktohet që familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç, është diskriminues dhe absolutisht i papranueshëm. Sipas këtij kriteri familjet e varfra që nuk kanë fëmijë nën moshën 5 vjeçare bien në pozitë të pafavorshme, ky kriter përjashton edhe familjet që kanë marrë ndihmë sociale deri sa fëmija ka mbushur moshën 5 vjeç, pikërisht kur fëmija duhet të fillojë të shkollohet dhe rrjedhimisht dhe familja e varfër do të ketë shpenzime edhe më të mëdha.