06 Nëntor 2024

KOMF kërkon krijimin e grantit specifik për shërbime sociale

Prishtinë, 3 korrik - Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, i cili përfaqëson njëzet e shtatë organizata jo qeveritare, duke qenë në dijeni se Ministria e Financave ka nisur procesin e konsultimit të gjerë si pjesë e fazës së parë të zhvillimit të koncept-dokumentit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ka dërguar drejt Ministrit të Financave propozimin për krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale.

KOMF ka propozuar krijimin e një granti specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal.

Ky grant duhet të jetë krahas granteve për arsim dhe shëndetësi si grant specifik për shërbime sociale.

Granti për Shërbime Sociale do të duhej të përmbante kritere të qarta në mënyrë që të sigurojë ndarje të drejtë dhe financim adekuat për shërbimet sociale.

 Për të siguruar mirëqenien dhe ofrimin e shërbimeve bashkëkohore rekomandohet që LFPL të orientohet sipas njërës nga dy alternativat e KOMF:

Alternativa I: Grant specifik për shërbimet sociale i llojit të mbyllur, e cila është alternativa më adekuate për arsye se siguron një minimum të sigurt të ofrimit të shërbimeve sociale.

Alternativa II: Ndarje e dedikuar për shërbime sociale në përqindje brenda grantit të përgjithshëm. Duhet cekur që alternativa e dytë nuk garanton siguri financiare në masë sikurse alternativa e parë.

"Përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale të bëra nga 1 janari 2009, komunat kanë bërë pak veprime konkrete për të ndarë buxhet me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në komunën e tyre."

"Mungesa e një granti specifik për komunat për shërbimet sociale pamundëson ofrimin e shërbimeve cilësore minimale për mbrojtjen e fëmijëve dhe pengon mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të tyre", thekson KOMF.

Kjo sipas KOMF i pamundëson institucionet komunale në përmbushjen e mandatit dhe obligimeve të parapara me legjislacionin në fuqi.

Nëse sipas KOMF vazhdohet me këtë formë të financimit gjendja mund të keqësohet për aq sa të shndërrojë Qendrat për Punë Sociale në qendra jofunksionale, të cilat duke mos u financuar mjaftueshëm nuk do të mund të ofrojnë shërbime sociale.

Në mënyrë që ky funksion komunal të mos mbetet në mëshirë komunale duke pasur parasysh financimin në vitet e fundit, sugjerohet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme e financimit brenda Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Të dhënat e fundit të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion, flasin për një shkallë të lartë të përfshirjes së fëmijëve në punë, ku 10.7 përqind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë përderisa 6.8 përqind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike.  Fëmijët me aftësi të kufizuara nuk i realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Rreth 1200 fëmijë janë pa përkujdesje prindërore, të strehuar tek të afërmit, strehim familjar apo strehim rezidencial.

Mbrojtja e fëmijëve në Kosovë mbetet objekt i kritikave në raportet ndërkombëtare. Kjo është reflektuar edhe në Raportin e Progresit për vitet e fundit.

Sa i përket mbështetjes financiare, raporti thekson që Kosova duhet të sigurojë që komunat të kenë burime të mjaftueshme për të ofruar shërbime sociale brenda përgjegjësive të tyre, njëherit alokimi i buxhetit duhet të bëhet në mënyrë që të ketë decentralizim efektiv.

Rekomandohet që zgjidhja të bëhet përmes përcaktimit të buxhetit për shërbime sociale në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)