KOMF alarmon për gjendjen e rëndë të financimit të shërbimeve sociale për fëmijë
Prishtinë, 5 prill - Koalicioni i OJQve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF, prezantoi dokumentin mbi Financimin e Shërbimeve Sociale në Kosovë, i cili përfaqëson qëndrimin e 22 organizatave anëtare të koalicionit. Dokumenti është iniciuar bazuar në gjendjen e rëndë të financimit të shërbimeve sociale në Kosovë si pasojë e mungesës së një mekanizmi të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale.
Donjeta Kelmendi nga KOMF deklaroi që shumë shërbime që janë pjesë e sektorit jo-qeveritar po ballafaqohen me sigurimin ekzistencial apo qëndrueshmërinë financiare duke rrezikuar mbylljen e shërbimeve për fëmijë. Fëmijët përfitues të shërbimeve nga sektori jo qeveritar janë të obliguar të lëvizin nga një formë e kujdesit në një formë tjetër, që përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve. Përderisa, me mbylljen e qendrave të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nuk do të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet multisektoriale. Kjo do ti shtynte fëmijët me aftësi të kufizuara edhe më shumë drejt margjinalizimit social, ekonomik dhe politik.
Folës në këtë konferencë ishte zëvendës ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Safet Kamberi i cili ndër të tjera potencoi se shërbimet natyrisht e kanë koston e tyre dhe ne pajtohemi që resurset që i kemi në dispozicion janë të pakta. Është shumë e rëndësishme që ta rrisim efikasitetin e ofrimit të këtyre shërbimeve, që ne i zhvillojmë shërbimet në nivel qendror dhe kjo është detyrë e pushtetit qendror i cili po mundohet që të siguroj që ato të koordinohen mirë në Kosovë, por edhe të përfshijnë komunat dhe të gjithë akterët tjerë duke përfshirë OJQ-të që janë aktive në terren në mënyrë që shërbimet të jenë të përshtatura. Ndër të tjera Kamberi shtoi se Në vazhdën e programeve do të krijojmë infrastrukture financiare për të krijuar nivel të qëndrueshëm për shërbime sociale.
Liridona Zogaj nga PEMA, apeloi drejt MPMS dhe komunave që të sigurojnë fond emergjent për ti rihapur qendrat e kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara në Pejë, Prizren dhe Gjilan sa më shpejtë duke iu mundësuar fëmijëve me aftësi të kufizuara qasje në shërbime dhe aktivitetet sociale.
Ibadete Krasniqi nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP) theksoi nevojën emergjente për ngritje të nivelit të financimit të shërbimeve direkte për mbi 1285 fëmijë në nivel vendi të cilët kanë nevojë për shërbime sociale.
Valdrin Dervishaj nga KOMF prezantoi të gjeturat kryesore të raportit Rezultatet e nxjerra nga dokumenti mbi financimin e shërbimeve sociale në Kosovë tregojnë që përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale të bëra nga 1 janari 2009, komunat kanë bërë pak veprime konkrete për të ndarë buxhet me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në komunën e tyre. Niveli aktual i financimit komunal nuk plotëson as për së afërmi nevojat të cilat këto shërbime kërkojnë për të qenë në nivelin optimal të funksionimit.
Në situatën e rëndë në të cilën ndodhen shërbimet sociale, ku akoma nuk është krijuar plani për financim të qëndrueshëm të shërbimeve sociale nga MPMS, MEF dhe Komunat, është e domosdoshme që të intervenohet nga të dy nivelet: qendror dhe komunal (MPMS dhe Komunat) deri në sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme të financimit të shërbimeve sociale.
Si zgjidhje për problemin e financimit të shërbimeve sociale raporti rekomandon krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale.