Komandantët e UÇK-së, milionerë të privatizimit
Prishtinë, 14 mars - Për toka bujqësore, lokale e fabrika janë paguar shuma të mëdha kryesisht nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët sot janë pronarë të pronave që kushtojnë miliona euro. Në listë të blerësve që posedon gazeta Zëri janë vëllezërit, por edhe familjarë të ish-komandantëve të luftës
Ish-komandantë të UÇK-së, familjarë të tyre, udhëheqës partish, politikanë, kanë paguar shuma të mëdha parash për të privatizuar ndërmarrje shoqërore. Lista e shitjeve të ndërmarrjeve shoqërore që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar, ka nxjerrë në pah emra të ish-komandantëve dhe shuma të mëdha parash që janë paguar gjatë këtij procesi.
Për toka bujqësore, lokale e fabrika janë paguar shuma të mëdha kryesisht nga ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët sot janë pronarë të pronave që kushtojnë miliona euro.
Në listë të blerësve ndodhet ortaku i vëllait të Hashim Thaçit, vëllai i Sylejman Selimit, vëllai i Rexhep Selimit, kryetari aktual i AAK-së Ramush Haradinaj e shumë e shumë të tjerë.
Vëllai i Hashim Thaçit, Blerim Thaçi, bashkë me Fazli Cakiqin, një biznesmen nga Drenasi, janë ortakë në kompaninë \"Iliria Bulding SHPK.
Cakiqi më 25 shkurt 2010, e ka privatizuar ndërmarrjen shoqërore Metanb në Prishtinë, në vlerë prej 2.6 milionë eurove.
Kurse në vitin 2011 ka blerë tokë në Prishtinë në vlerë prej 640 mijë eurove. Fazli Cakiqi, më 6 janar 2010, e ka privatizuar ndërmarrjen Kosova Elektro në vlerë prej mbi 1 milion eurove.
Në vlerë monetare shumë më të vogël në vitin 2010 ka privatizuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka privatizuar tokë bujqësore në Izniq të Deçanit në hapësirë prej 1,988,670.00 metra katrorë, në vlerë monetare prej 70 mijë eurosh.
/Zëri/