Kodi Penal parasheh 3 vjet burg për zyrtarët që se deklaruan pasurinë


Prishtinë, 12 prill - Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, është në krye të listës së zyrtarëve të lartë publikë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) për mosdeklarim të pasurisë.
Njëjtë si Buzhala kanë vepruar edhe 31 zyrtarë të tjerë shtetërorë, për të cilët AKK, bazuar në nenin 437 të Kodit Penal, thotë se është e obliguar të bëjë kallëzim penal.
Sipas Agjencisë, deklarimin e pasurisë e kanë bërë më shumë se 99 për qind e zyrtarëve brenda afatit ligjor, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe të deklarimit qysh prej vitit 2007.
Ky proces është obligues, sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë.
Sipas këtij ligji, numri i zyrtarëve të lartë publikë të cilët kanë pasur për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit, ka qenë 3869. Nga ky numër i tërësishëm obligimin ligjor e kanë përmbushur 3832 ose 99.04 për qind, ndërsa numri i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë është 32, thuhet në një njoftim të Agjencisë.
Fidan Kalaja, menaxher i Programeve në Lëvizjen Fol, thotë për Zërin se ata që thirren se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës do të duhej të mendojnë se edhe niveli i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit i derivuar nga zyrtarë të lartë është në shpërputhje me Kushtetutën, e për më tepër, siç thotë ai, edhe mungesa e transparencës së institucioneve publike është në kundërshtim të plotë me dokumentin më të lartë juridiko-politik i vendit tonë.
Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë është mjeti kryesor i parandalimit të korrupsionit në vendin tonë dhe për këtë debati dhe angazhimi do të duhej të fokusohej se si ky mjet të fuqizohet dhe avancohet në kuptimin që institucionet e drejtësisë të kenë mekanizma në verifikimin dhe hetimin e prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve milionerë, ka pohuar Kalaja, duke shtuar se milionerët me para publike nuk duhet të ngulin këmbë në të drejtën e privatësisë së pasurisë së tyre të krijuar nga abuzimet me paranë e taksapaguesve kosovarë.
Sipas tij, me ligjin aktual të deklarimit të pasurisë sanksionet kanë qenë minimale, duke pasur parasysh, siç thotë ai, pasurinë e atyre që nuk e kanë deklaruar.Mirëpo shpresa është tek ligji i ri që do të duhet të harmonizohet me Kodin Penal të Kosovës, i cili e parasheh mosdeklarimin e pasurisë si vepër penale, ka potencuar ai.
Sipas Nenit 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.
Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës. Po ashtu çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Vlera e padeklaruar e pasurisë, të të ardhurave ose të dobisë tjetër pasurore, e cila është fituar në mënyrë joligjore konfiskohet, precizohet qartë në Kodin Penal.
Zyrtarët që nuk e deklaruan pasurinë
Berat Buzhala, Shafi Gashi, Avni Ahmeti, Vedat Sogonjeva, Hasan Gigolli, Osman Sejfia, Vjosa Beqaj, Zika Jokanoviq, Astrit Haraçia, Ilir Beqiri, Saranda Hyseni, Teuta Shala, Violeta Dema, Zymber Berisha, Jehona Hyseni, Elez Muja, Milan Stojanoviq, Nerimane Lika, Sherife Troni, Adem Berisha, Raimonda Krasniqi, Fatos Kryeziu, Milivoje Zhivkoviq, Imer Hajdini, Kadri Osaj, Kabil Hajdari, Avni Misini, Taip Alidema, Ahmet Arifi, Sherafedi Mumxhiu, Sabit Zeka dhe Kemajl Hashani.