Koci priti zyrtaren e Departamentit të Shtetit, Christy Machak
Prishtinë, 3 dhjetor - Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci ka pritur në takim Christy Machak, zyrtare e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, me të cilën ka diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike në vend, e veçanërisht të arriturat në fushën e energjisë.
Në fokus të këtij takimi ishte sektori i energjisë, ndërtimi i termocentralit Kosova e Re si dhe angazhimet e MZHE në zbatimin e efiçiencës së energjisë, ku zv.ministri Koci ka informuar zyrtaren amerikane për projektet konkrete që janë duke u ndërmarrë në këtë fushë.
Me këtë rast Koci ka siguruar znj.Machak se Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të angazhohet që të respektohen standardet mjedisore të Bashkimit Evropian me rastin e implementimit të projekteve energjetike.
Në takim po ashtu është diskutuar edhe mundësia e rivitalizimit të ndërmarrjes Trepça, gjenerimi si dhe punësimi në këtë aset. Pjesë e diskutimit ishte edhe procesi i privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.