KMDLNJ: Të zbatohen vendimet gjyqësore për punëtorët e gypave
Prishtinë, 13 korrik - Punëtorët e Fabrikës së gypave në Ferizaj, për realizimin e të drejtave të tyre po përballen me vështirësi dhe pengesa të shumta të cilat janë të pa imagjinueshme për një shtet të së drejtës dhe ku zbatimi i ligjit është shndërruar në detyrim për të gjithë, ata që kërkojnë të drejtat e mohuara dhe ata që e shkelin ligjin.
Po këta punëtorë kanë bërë grevë plot 697 ditë në ndërkohë që institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e një kontesti që nuk do të duhej të ishte fare si i tillë pasi vendimet gjyqësore janë në anën e punëtorëve të diskriminuar dhe vetëm moszbatimi i këtyre vendimeve është shkaku kryesor i kësaj padrejtësie të madhe që u bëhet dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
KMDLNj ka përcjellur nga fillimi këtë çështje dhe ka konstatuar se moszbatimi i vendimeve gjyqësore nuk ka mbështetje as logjike e as materiale por është bërë si instrument i manipulimit, për përfitime politike. Greva e punëtorëve të Fabrikës së gypave në Ferizaj sikur edhe protestat në forma të tjera janë bërë për shkak se :
Nuk është zbatuar Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës; rasti KI-08/09, dhjetor 2010;
Nuk është zbatuar vendimi i Kuvendit të Kosovës nr. 04-V-799 i 19 marsit 2014;
Nuk është zbatuar Udhëzimi i Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës nr. C-IV-14-4099 të 13 qershorit 2014;
Nuk e ka zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale të Ferizajit, nr. 340/20001;
Nuk e ka zbatuar vendimin për ekzekutim të Gjykatës Komunale të Ferizajit, E nr.469 të datës 16 janar 2006 dhe 24.03.2006.
Në këtë kontekst, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kërkon nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës përkatësisht nga Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, kryeministri z. Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit z. Kadri Veseli të bëjnë një zgjidhje për punëtorët e Fabrikës së gypave në Ferizaj pasi që kemi të bëjmë me një shkelje flagrante dhe të rëndë të drejtave të njeriut në mënyrë që ata të marrin kompensimin që u takon me ligj dhe zbatohen vendimet e institucioneve gjyqësore, që nga ajo e Gjykatës Themelore, deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në rrethanat e krijuara, po të kishin të drejtë ti drejtohen punëtorët e diskriminuar , Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg do të ishte instanca e fundit dhe autoriteti suprem që do ta shqyrtonte rastin e realizimit të të drejtave të njeriut të punëtorëve të Fabrikës së gypave në Ferizaj.
KMDLNj, nga institucionet më të larta të Kosovës kërkon përgjegjësi për zbatim selektiv te ligjit dhe moszbatim të vendimeve të gjykatave.