16 Nëntor 2024

KMDLNj kërkon veprime ligjore në mbrojtje të bizneseve

Prishtinë, 19 qershor - Pas arrestimit krejtësisht të panevojshëm të Ramush Haradinaj nga autoritetet sllovene në bazë të një fletëarresti të Interpolit dhe me kërkesë të Serbisë, u ashpërsua fjalori ndaj Sllovenisë edhe në nivelet më të larta politike dhe ligjvënëse.

Ky fjalor që herë herë i kalon kufijtë e një kërkese të arsyeshme për lirimin e pakusht dhe të menjëhershëm të Ramush Haradinaj nxiti një dhunë gjithashtu , krejtësisht të panevojshme dhe të paarsyeshme ndaj firmave sllovene që bëjnë biznes në Kosovë e që për aksionarë kanë biznesmenë shqiptarë të Kosovës.

Dhuna ndaj bizneseve sllovene në Kosovë si dhe ftesa për bojkotim të mallit slloven është non – sens i llojit të vet edhe për faktin se nga shteti që ka bërë kërkesë për arrestimin e Haradinaj, Serbisa, në Kosovë importohen mallra (të cilësisë së dyshimtë) në vlerë mbi 500 milionë euro në vit ndërkaq që thirret për bojkot dhe ushtrohet dhunë ndaj bizneseve sllovene që në tregun kosovarë kanë ofruar mallra dhe shërbime me cilësi të lartë.

Sulmi i dhunshëm ndaj Kompanisë IPKO dhe bankës NLB në Prishtinë është kundër ekonomisë së tregut të lirë, kundër investimeve të mundshme në të ardhmen që është përcaktues për zhvillimin ekonomik dhe që, në fund të fundit më së shumti e dëmton konsumatorin dhe ekonominë kosovare.

KMDLNj përkrah çdo protestë paqësore për lirimin e Haradinaj dhe në rastin konkret është në anën e Haradinaj deri në momentin kur ato kërkesa apo veprime janë paqësore por nuk e përkrah dhe e dënon çdo veprim të dhunshëm kundër bizneseve dhe investitorëve në përgjithësi e në rastin konkret distancohet dhe kërkon përgjegjësi për dhunën dhe kërcënimet ndaj bizneseve sllovene në Kosovë.

Siç është e drejtë e ligjshme dhe e drejtë e njeriut lirimi i z. Ramush Haradinaj gjithashtu është e drejtë e njeriut edhe të bërit biznes , pa u penguar dhe në përputhje me ligjet e vendit.

KMDLNj fton qeverinë e Kosovës që në kuadër të kompetencave që i ka të ndërmerrë veprime ligjore në mbrojtje të bizneseve dhe të investimeve ndryshe do të bartë përgjegjësi për pasojat e mundshme ku mund të rrezikohet edhe jeta e atyre biznesmenëve apo zyrtarëve.

KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i përdorë të gjitha mundësitë diplomatike në mënyrë që Ramush Haradinaj të lirohet dhe të kthehet sa më parë në Kosovë.

Fjalori i dhunshëm duhet t’i lëshojë rrugë veprimeve të arsyeshme ndryshe të gjithë do t’i bartim pasojat!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)