KMDLNJ kërkon të respektohet e drejta për punë
Prishtinë, 15 qershor - Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID- 19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut - KMDLNJ vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t'i kthehen normalitetit.
Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar. Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomët dhe artistët.
Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës.
KMDLNj konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të LVV -së ku dhjetra mijra pjesëmarrës kanë shkelur rregullat sikur që është ruajtja e distancës sociale.
Më këtë kontekst, KMDLNj kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomëve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me prananinë e një numri të tifozve , duke ruajtur distancen sociale dhe masat tjera mbrojtëse.
Qeveria e Kosovës nuk ka tjetër alternativë: ose duhet të lejojë këto aktivitete ose duhet t'i kompensojë të gjitha humbjet që i kanë pasur dhe që do t'i kenë në të ardhmen. E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet.
Lejimi i aktiviteteve politike kundër të gjitha rregullave të sigurisë së shëndetit dhe pengimi i aktiviteteve të gastronomëve , artistëve e vë në pozitë qeverinë si abuzuese e të drejtave të njeriut për shkak të zbatimit të standardeve të dyfishta.
Në këtë rrafsh, KMDLNj përkrah protestat e gastronomëve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut.
Rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë e që në rastin konkret nuk është kështu.
Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar.
Prandaj sipas KMDLNJ-së duhet të lejojë punën e tyre duke respektuar të gjitha masat e sigurisë.
"Ndërkaq është detyrim i shtetit të krijojë mekanizma kontrolli në mënyrë që të detyrojë që të paguhet tatimi real në bazë të realizimit të fitimit", thekson KMDLNJ.