Klubi për bamirësi në AUK fiton çmimin FIDES 2012
Prishtinë, 6 dhjetor - Klubi për Bamirësi në kuadër të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK), fiton çmimin FIDES 2012 për kontribut në nivel kombëtar.
Gjatë ndarjes së çmimit për këtë klub, Kryepralamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se shoqëria jonë në tranzicion ka gjithçka në tranzicion, prandaj filantropia dhe mirëbesimi duhen të ushqehen çdo ditë, sepse ky popull ka kaluar nëpër dhimbje të mëdha fizike e shpirtërore.
"Edhepse tradicionalisht populli ynë ka qenë nën sundim, ne përsëri kemi ushqyer ndjenjën e solidaritetit. Unë i inkurajoj të gjitha ato grupe shoqërore që punojnë për ti kultivuar dhe përmirësuar këto vlera, përfundon ai.
Ndërkaq themeluesja e këtij klubi, Mrika Aliu, gjatë marrjes së këtij çmimi tha se është nder të jemi pranues të këtij çmimi, kur dihet se vlerësohet kontributi i të gjithë aktivistëve vullnetarë, komunitetit të AUK-së, të gjithë familjarëve dhe qytetarëve që na mbështesin në aktivitetet tona.
Ky klub ka kontribuar në aktivitete filantropike përmes punës së 90 vullnetarëve të tij, përmes shfrytëzimit të hapesirës/kampusit universitar për aktivitete vullnetare, siç janë: ofrimi i kurseve të gjuhës angleze për fëmijët e fshatit SOS, shfrytëzimit të depove dhe materialeve logjistike për mbledhjen e kapakëve për riciklim, shpërndarjes së ushqimit nëpër familje të varfëra në komuna të ndryshme të Kosovës, shpërndarjes së rrobave dytësore, si dhe dhënien donacion të kompjuterëve dhe materialeve logjistike për gjimnazin Eqrem Qabej.
Ndërkaq, aktivitete tjera filantropike të realizuara në kuadër të këtij klubi janë: Dhuratat e fundvitit për fëmijët me Leukemi dhe Shtëpine e Pleqve në Prishtinë, Kosova Cap Project, Kampanja rreth Alfabetit Braj, Down Syndrome Kosova, për personat me Autizëm, Ditët e Dhurimit të Gjakut për QKUK, pjesëmarrja në projektin Ta Pastrojmë Kosovën , pjesëmarrja në festivalin e fëmijëve Play for All, Hope and Aid Direct dhe Kampanja mbi Kancerin e Gjirit.
Klubi për Bamirësi në AUK është organizatë e pavarur studentore, e themeluar qysh në vitin 2010, e cila ka për qëllim ti dale në ndihmë komunitetit në nevojë përmes punës vullnetare dhe kampanjave vetëdijesuese, duke ndihmuar në këtë mënyrë familjet e varfra, nxënësit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, jetimët dhe minoritetet në Kosovë.
Klubi ka gjithsej 90 vullnetarë, të gjithe studentë të Universitetit Amerikan në Kosovë, të cilët realizojnë projektet dhe strategjinë e organizatës.
Klubi, i themeluar nga një ish-studente e AUK-së, ka gjithashtu komitetin menaxhues që përbëhet nga këshilltaret e klubit, bashkë-udheheqesit, sekretarin, arkatarin dhe përfaqësuesit e gjeneratave studentore. Implementimi i projekteve dhe strategjisë gjithashtu perfshinë menaxhmentin e Universitetit Amerikan të Kosovës, stafin, profesorët dhe të gjithë trupin studentor.
Për shkak te zgjërimit të aktiviteteve, nga tash e tutje, ky klub do ta ketë emrin AUK Community Service Club. Statusi i klubit qëndron si organizatë komunitare me veprim nacional.
Çmimi FIDES për Kontribut në Nivel Lokal, iu nda Kompanisë ABI nga Prizreni, për përkrahje të aktiviteteve sportive dhe kulturore, përkrahje për shkollimin e fëmijëve bonjak, ndihma për familjet e varfëra, çmim ky i cili u dha nga Përfaqësuesi Special i Unionit Europian / Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Çmimi FIDES për Kontribut Individual, iu nda, Dr. Mynavere Hoxha, për punë vullnetare si neonatologe. Ky çmim u nda nga Ambasadori Norvegjez, Jan Braathu.
Çmimi FIDES për Kontribut nga Diaspora, iu dha Projektit BUNATEKA, Bnarchitects & Associates, për ndërtimin e bibliotekave të vogla për fëmijë në zonat rurale, çmim ky që u nda nga z. Elbasan Morina, nga Projekti Diaspora për Zhvillim.
Çmimi FIDES për Kontribut në Mjedis, iu nda Kosova Cap Project, për reciklimin e kapakëve të plastikës si burim për të blerë dhe dhuruar karroca për personat me aftësi të kufizuara, ku deri tani janë shpërndarë mbi 50 karroca. Çmimi u nda nga z. James Magbeth Forbes, Drejtor i zyrës së GIZ, për Kosovë dhe Maqedoni.
Me rastin e ndarjes së Çmimit FIDES, znj. Mexhide Spahija, Drejtoreshë Ekzekutive e FIQ-it, theksoi se FIQ beson që vetëm një pikë uji në oqean, krijon rrathë të cilët shpërndahen ngadalë, por sigurtë. Kosova sot, është një nga shtetet më të varfëra në Europë dhe është vend i rrethuar me kufinjë, mirëpo filantropia nuk njeh kufinj përfundoi ajo.