Klubi i Prodhuesve të Kosovës përkrah pakon e re fiskale
Prishtinë, 4 janar - Sot, Ministri i Financave z.Bedri Hamza ftoi në një takim përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Oden Ekonomike dhe Oden Amerikane të Kosovës për të diskutuar mbi politikat e reja fiskale dhe ndikimin e tyre në veprimtarin biznesore.
Ministri Hamza bëri të ditur se që nga fundi i vitit të kaluar ministria i ka kaluar të gjitha procedurat administrative sa i përket masave që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit e të bërit biznes, dhe pret që këto vendime të implementohen pa asnjë vështirësi. Sipas z.Hamza qëllimi i këtyre politikave është të krijohen kushte dhe ambient që bartës i rritjes ekonomike në vend të jetë sektori privat.
“Këto vendime që kanë të bëjnë me lirimin prej tatimit të doganës për lëndët e para pastaj vendimi për lirimin nga akciza për të gjitha lëndët djegëse që përdoren në prodhim. Sa i përket kalimit të pagesës së TVSH prej kufirit në brendësi është një reformë që kërkon ndryshim por që është lehtësi e madhe për bizneset.” deklaroi z.Hamza.
Ai po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit që të jenë pjesë e grupeve punuese sepse me punën dhe ekspertizën e tyre veçse i kanë të identifikuara problemet dhe së bashku do të mund t’i shtyjmë reformat përpara.
Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, z.Astrit Panxha falënderoi ministrin Hamza që e shtyu përpara implementimin e pakos së re fiskale, po ashtu falënderoi edhe përfaqësuesit tjerë të organizatave biznesore, që secili ka dërguar rekomandime, e shumica prej tyre janë marrë parasysh nga Ministria e Financave.
“Për neve, si Klub i Prodhuesve të Kosovës është shumë me rëndësi fillimi i këtyre masave, sepse sektori qe preket më së shumti është sektori i prodhimit. Do të kemi lehtësira në importin e lëndës së parë, po ashtu lirimi nga akciza në lëndët djegëse që është shumë me rëndësi për rrjedhën e parasë për prodhuesit vendor. Çdo euro e kursyer për prodhuesit vendor do të thotë rritje në investim, e në këtë mënyrë edhe rritje të mirëqenies së qytetarëve”.
Panxha po ashtu bëri të ditur që Klubi i Prodhuesve të Kosovës është duke punuar në hartimin e një dokumenti i cili së shpejti do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave i cili ka të bëjë me propozimin për stimulimin e eksportit.