Klauzola e investimeve mundëson 540 milion euro
Prishtinë, 11 prill - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar klauzola e investimeve në ligjin e financave publike mundëson implementimin e tetë projekteve prej rreth 540 milion euro.
\"Me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike. Përmes amendamentit 22A, që njihet si klauzolë e investimeve, i mundësohet Qeverisë që të hyjë në borxhe publike vetëm për financimin e projekteve kapitale që kanë ndikim në zhvillim dhe mirëqenie\", ka shkruar ai në Facebook.
Me propozim të Ministrisë së Financave, në mbledhjen e datës 15 mars 2016 Qeveria ka aprovuar listën prej tetë projekteve kapitale në vlerë prej rreth 540 mil euro.
1. Rehabilitimi i linjës 10 hekurudhore Hani i Elezit-Leshak, në vlerë prej 193.7 mil euro,
2. Ndërtimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore Prishtinë-Aeroport, në vlerë prej 40.2 mil euro,
3. Rehabilitimi i kanalit të Ibër-Lepencit, në vlerë prej 25 mil euro,
4. Rehabilitimi i rrugëve regjionale Kllokot-Gjilan dhe hyrje daljet në Ferizaj, Gjilan dhe Prizren, në vlerë prej 29 mil euro,
5. Ndërtimi i rrugës Kijevë-Klinë-Zahaq, në vlerë prej 60.8 mil euro,
6. Rehabilitimi i linjave hekurudhore Fushë Kosovë-Podujevë dhe Klinë-Prizren, në vlerë prej 158.5 mil euro,
7. Zgjerimi i sistemit të ujitjes për bujqësi të Radoniqit, prej rreth 30 mil euro.
8. Autostrada Prishtinë-Gjilan, kosto nuk është finale.
Kjo listë do ti përcillet Kuvendit për informim. Ministria e Financave tani po punon në gjetjen e burimeve të financimit për këto projekte. Për disa prej këtyre projekteve, bisedat me institucione financiare ndërkombëtare janë konkretizuar, ndërsa për disa të tjera janë vënë kontaktet e para.
Duke qenë se borxhi publik i Kosovës është mjaft i ulët në raport me Bruto Prodhimin Vendor, që është nën 13% të BPV-së, dhe kushteve shumë të volitshme të huazimit tek institucionet financiare ndërkombëtare, Qeverie e Kosovës do të angazhohet intensivisht në finalizimin sa më parë të marrëveshjeve për financim.
Barra buxhetore për këto borxhe është e përballueshme për buxhetin e shtetit. Për më tepër, të gjitha këto projekte kanë normë të kthimit dukshëm më të lartë se kostoja e financimit dhe krijojnë efekte multiplikuese në ekonomi. Afatet kohore të kthimit të kredive pritet të jenë me grejs periudhë që është së paku sa kohëzgjatja e investimeve në këto projekte. Kjo nënkupton se kur fillon të kthehet kredia, këto projekte japin rezultate në zhvillim dhe e shpaguajnë investimin.
Klauzola e investimeve është pjesë e programit që ka Qeveria me FMN-në. Ky program është duke e mbështetur Ministrinë e Financave në reformën e financave publike.