KKZHE shtyn përpara reformat strukturore ekonomike
Prishtinë, 13 nëntor - Sot u mbajt takimi i gjashtë i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u diskutua për raportin e të bërit biznes, studimin e fizibilitetit, fiskalizimin e bizneseve, draft ligji për blerjen e produkteve vendore, sfidat e industrisë së rëndë si dhe përcjellja tutje e çështjeve të ngritura nga takimet e kaluara.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, njëherësh udhëheqëse e takimit, bëri një prezantim të detajuar për ngritjen e Kosovës në raportin e Bankës Botërore Të Bërit Biznes, ngritje kjo më e larta në rajon për këtë vit (28 pozita më lartë në krahasim me vitin e kaluar):
Ky progres i Kosovës tregon se ndryshimet e mëdha kërkojnë punë dhe përkushtim, por mbi të gjitha janë të mundura -dhe ne po e dëshmojmë çdo ditë e më shumë se ndryshimet pozitive janë të mundura dhe po arrihen theksoi ajo.
Fjalën e saj hapëse, zëvendëskryeministrja e vazhdoi me Raportin e Fizibilitetit të Komisioni Evropian, i cili vlerësoi pozitivisht reformat ekonomike dhe politike si dhe vuri në pah sfidat ekonomike që duhet të adresohen:
Besoj se ky Këshill do të shërbej si mekanizëm mbështetës në implementimin e reformave dhe politikave të kërkuara, gjithmonë në shërbim të përmirësimit të ambientit për të bërë biznes, forcimit të sektorit privat dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik tha Kusari Lila.
Ndërsa një raport i detajuar për studimin e fizibilitetit u dha nga Ministrja për Integrime Evropian Vlora Citaku, e cila theksoi se në aspektin ekonomik sfidë mbetet bilanci tregtar. Ajo gjithashtu kërkoi një bashkëpunim më të thellë me biznese në këtë proces.
Me kërkesë të Odës Amerikanë të Kosovës, si pikë e rendit të ditës sot u diskutua për procesin e fiskalizimit. Behxhet Halili, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës tha se ky nuk është një proces i lehtë, por megjithatë vlerëson që është zhvilluar pozitivisht.
Ai tha se deri më tani 16.596 biznese janë pajisur me arkë fiskale. Sfidë sipas tij mbetet monitorimi i arkave fiskale. Asociacionet e biznesit rekomanduan që prioritet me ngarkimin e arkave fiskale të kenë kompanitë të mëdha. Duke qenë si temë tejet e rëndësishme, kjo çështje do të diskutohet edhe në takimet tjera të KKZHE-së.
Një raport me procesin dhe gjendjen aktuale të shkurtimit të licencave u prezantua nga Besim Kajtazi, Drejtor i Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit. Sipas këtij raporti del se premtimi i dhënë për listën e detajuar të shkurtimit të licencave do të jetë në muajin e ardhshëm.
Nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik u prezantua krijimi i Sistemit të Integruar Informativ për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës.
Po ashtu, në takimin e sotëm Drejtori i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka prezantoi dokumentin e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës që ai drejton për problemet me të cilat përballet industria e rëndë në Kosovë.
Zeka informoj anëtarët për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Industrisë së Rëndë si dhe ofroj rekomandime për këtë sektor të cilat kërkoj të merren parasysh nga sponzorizuesit e ligjeve që lidhen me këtë industrinë e rëndë.
Në fund, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila informoj anëtarët e këshillit për çështjet e mbetura nga takimet e kaluara, me theks të veçanta për takimin e mbajtur me Ministrinë e Financave, Asociacionet e Bizneseve dhe Prodhuesit për hapat e mëtutjeshëm të draftimit të Ligjit për Blerjen e Produkteve vendore.
Nga ky takim është vendosur të krijohet një grup punues nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave (pasi edhe Agjencioni i Prokurimit Publik është nën Ministrinë e Financave) për implementimin e iniciativës për Blerje të Produkteve Kosovare nga institucionet e vendit në kontratat publike, i cili grup punues gjithashtu do të përcaktojë ndikimet ekonomike dhe ligjore, përfitimet nga kjo iniciativë dhe ndryshimet në ligje