KKZHE diskutoi për lejet e punës dhe të qëndrimit të të huajve
Prishtinë, 2 korrik - Nën udhëheqjen e zëvendëskryeministres dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, sot u mbajt takimi i njëmbëdhjetë me radhë i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), ku u diskutuan çështjet: lejet e punës për të huajt dhe lejet për vendqëndrimet dhe reformat e ndryshimet që duhet të ndërmerren në këtë drejtim, diskutim rreth projektligjit kornizë për inspektimet në nivel vendi, si dhe koordinimi i institucioneve qeveritare dhe përfaqësimi në Fondacionin Evropian të Trajnimeve (FET).
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fillimisht bëri të ditur edhe njëherë se javën që lamë pas, Qeveria e Republikës së Kosovës, është informua nga Bashkimi Evropian për vendimin e tyre për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stablilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Ai theksoi se kjo marrëveshje është themeli mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja evropiane e Republikës së Kosovës.
Si Kryeministër i vendit, dua të shpreh mirënjohjen time të lartë për të gjithë ata që kontribuuan dhe që do të kontribuojnë në përmbylljen me sukses të kësaj marrëveshjeje në një afat rekord. Marrëveshja si e tillë, përveç çështjeve politike, përfshin edhe ato ekonomike, pra çështjet rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë.\"
\"Prandaj, suksesi në implementimin e kësaj marrëveshjeje do të reflektohet në ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët, qofshin vendorë, qofshin të huaj. Po ashtu, ky sukses do të reflektohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi, në mes tjerash, tha se do të vazhdojmë me punën në përmirësimin e mjedisit afarist duke ulur jo vetëm koston financiare të të bërit biznes, por edhe kostot jo-financiare.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, prezantoi konceptin e saj rreth lëshimit të lejeve të punës dhe të qëndrimit për shtetasit e huaj në Republikën e Kosovës, që sipas Ligjit për leje të punës, leja e punës është dokument zyrtar i lëshuar nga organi kompetent për një shtetas të huaj, për qëllime biznesi, punësimi ose vetëpunësimi.
Janë tetë lloje të lejes së punës që mund të jepen në bazë të këtij ligji, duke filluar nga Tipi A që u jepet të huajve për një periudhë kohore 6 mujore deri tek Tipi H, që jepet për një periudhë 5 vjeçare.\"
\"Janë disa kategoritë të shtetasve të huaj që përjashtohen nga detyrimet për pajisje me leje të punës si: përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike të organizatave ndërkombëtare me status diplomatik, si dhe shtetasit e huaj që janë punonjës të këtyre përfaqësive; personeli kyç i ndërmarrjeve tregtare i cili është definuar me marrëveshjen për stabilizim-asociimin në mes shteteve anëtare të BE-së dhe Kosovës; përfaqësuesit e organizatave joqeveritare pa qëllime fitimi dhe disa grupe tjera, ka theksuar Kusari-Lila.
Ajo shtoi se ekziston një listë mjaft e gjatë e përjashtimeve nga detyrimi për tu pajisur me leje të punës. Kjo listë është shumë e paqartë dhe nuk saktëson gjuhën ligjore për ti identifikuar grupet që bëjnë përjashtim. Për më tepër, nevojitet një proces i aplikimit për tu kualifikuar për përjashtim dhe kjo kushton 150 euro. Për shembull, me këtë kërkesë i gjithë stafi diplomatik në Kosovë do të duhej të aplikonin për përjashtim për tu pajisur me leje të punës.
\"Nga përvoja e dimë se këto misione diplomatike nuk e bëjnë një gjë të tillë andaj është e paqartë se cilat kategori të punonjësve ose bizneseve të huaja aplikojnë për përjashtim nga pajisje me leje të punës. Kjo situatë e paqartë krijon hapësirë për liri veprimi dhe rëndon punonjësit e huaj. Përjashtimet mund edhe të përdoren në një mënyrë më strategjike për ti synuar shkathtësitë specifike për të cilat ka mungesë në tregun vendor të punës.\"
Zv/kryeministrja Kusari-Lila rekomandoi që të merren parasysh, pas aprovimit nga KKZHE-ja, që të përfshihen në amendamentimin e ligjeve përkatës këto çështje: të eliminohet kërkesa për aplikim për tu përjashtuar nga detyrimi për tu pajisur me leje të punës dhe të bëhet përfshirja e një përkufizimi më të qartë në ligjin për grupet që janë të përjashtuara; reduktimi i disa dokumenteve të nevojshme për lëshim të lejeve të punës për individët, duke i eliminuar dokumentet siç kërkohen: certifikatën nëse personi ka kryer vepër penale, certifikatën mjekësore dhe pëlqimin nga Inspektorati i punë; eliminimi i lejeve për biznese në Ligjin për Leje të Punës për Entitete Juridike të Huaja pasi që procesi i lëshimit të lejes së punës duhet të shërbejë për ti pajisur me leje individët e huaj për të punuar në Kosovë e jo bizneset e huaja; eliminimi i tarifave prej 150 eurove për përjashtim dhe tarifën prej 150 eurove për leje të punës për biznes. Gjithashtu, rishikimi i tarifës prej 50 eurove për leje të punës sipas parimit të mbulimit të kostos si dhe tarifën për vazhdim e cila është po ashtu 50 euro.
Ndërkaq për themelimin e një trupi drejtues nga institucionet e Kosovës për përmirësimin e aftësimit profesional, u dakordua se trupa që do të jetë e gatshme nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë apo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të merret me këtë çështje deri në një vendim tjetër.
Formimi i këtij trupi është kërkuar nga Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF), që është një agjenci e Bashkimit Evropian e cila ndihmon në përmirësimin e sistemeve të trajnimit profesional për vendet që janë pjesë e proceseve integruese në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Kosovën.
Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik është organi kryesor këshillues dhe vendimmarrës për politikat ekonomike dhe reformat. Ky këshill, takohet çdo muaj dhe përbëhet nga Zyra e Kryeministrit, 11 ministri, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Asociacioni i Komunave të Kosovës, tri asociacione të biznesit, si dhe nga donatorë të jashtëm të cilët po e ndihmojnë Kosovën.