KIPRED: 91 për qind e rasteve të auditimeve jo pozitive
Prishtinë, 8 prill - Instituti KIPRED sot publikoi një hulumtim dhe analizë shtatë mujore të menaxhimit të financave publike në komuna.
Arkat Publike: Drejt Menaxhimit Efikas dhe Transparent të Buxheteve Komunale përfshinë analizën e 27 komunave duke u bazuar në raportet e auditimit, realizimin e të hyrave, menaxhimin e fondeve si dhe intervista të thella me zyrtarë komunal.
Me rritjen e kompetencave dhe buxhetit të nivelit komunal, instituti KIPRED sheh rritje të përgjegjësisë të këtyre institucioneve.
Sidoqoftë, sipas KIPRED që nga viti 2005 deri në vitin 2009, auditorët e ZAP-it kanë refuzuar të japin mendim pozitiv mbi pasqyrat financiare në 91% të rasteve.
Për këtë arsye KIPRED ka vendosur të analizojë thellësisht menaxhimin e financave si dhe performancës nëpër komuna.
Ndër problemet kryesore, në mes të tjerave, ekzistojnë raste të shumta të anashkalimit të procedurave të prokurimit, mungesa e profesionalizmit të stafit, mungesa e ndjekjes penale të shkeljeve, si dhe kontrolli i dobët i brendshëm.
Gjithashtu, komunat nuk angazhohen mjaftueshëm për të siguruar shtjellimin e financave në bazë të çështjeve gjinore, duke anashkaluar kështu çështjen e gruas nga pikëpamja strukturale.
KIPRED mendon se komunat duhet të shfrytëzojnë mundësitë të tjera për të përpiluar prioritetet e qytetarëve në vend të takimeve të thjeshta.
Ligjet duhet të plotësohen ashtu që Kryetarët e komunave të jenë të obliguar të nënshkruajnë kontratat me vlerë të mesme ose të madhe për të rritur shkallën e përgjegjësisë gjatë prokurimit.
Gjithashtu duhet të rekrutohet numri i planifikuar i auditorëve të brendshëm dhe roli i Zyrtarëve për Çështje Gjinore duhet të fuqizohet përmes përfshirjes së këtyre zyrtarëve në vlerësimin e projekteve të komunës dhe OJQ-ve.
KIPRED është një think tank Kosovar që është formuar në 2003 dhe ka për qëllim përkrahjen dhe fuqizimin e demokracisë dhe të vlerave demokratike në Kosovë dhe rajon.
KIPRED punon në qeverisje të mirë, vetëqeverisjen lokale, sundimin e ligjit si dhe sektorin e sigurisë.