Kina zyrtarizon kredinë e parë online
Pekin, 5 janar - Kryeministri Li Keqiang ka premtuar krijimin e një klime të favorshme për shtimin e \"moderuar\" të bankave private në Kinë.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë vizitës në Webank, i cili është shërbimi i parë bankar nëpërmjet internetit, me seli në Shenzhen.
Gjatë vizitës, kryeministri Li zyrtarizoi miratimin e kredisë së parë bankare prej 35 mijë yuanësh për një shofer vendës kamioni. Ai theksoi se dhënia e kredisë së parë është një hap përpara në reformën financiare të Kinës.
\"Jam i lumtur të shoh se si po zhvillohet kjo formë e re e financës nëpërmjet internetit. Ky është një sinjal domethënës në drejtim të financave online dhe zgjerimit të reformës fiskale në Kinë\", tha kryeministri.
Ndërsa drejtori i Webank nënvizoi se shërbimi i ri ndikon në përmirësimin e shërbimit publik bankar.
\"Arsyeja përse ne e quajmë shërbimin tonë \"Webank\" është sepse kemi përqëndruar shërbimin për publikun e gjerë dhe biznesin e voigël. Ne shpresojmë të veprojmë si një bankë e llojit të ri, një platformë interneti me licensë bankare.\"
\"Synojmë të krijojmë lidhje midis klientëve tanë dhe institucioneve financiare. Por ne nuk dëshirojmë të jemi rivalë të këtyre institucioneve. Dëshirojmë ti ndihmojmë ato me një shërbim më cilësor ndaj publikut të gjerë.\"
Me një kapital të regjistruar prej 3 miliard yuanësh, aksioneri më i madh i Webank është Tencent Holdings LTD, që zotëron 30% të aksioneve.
Aksionerë të tjerë të Webank janë kompania Shenzhen Baiyeyuan Investment dhe grupi Shenzhen Liye, secili me nga 20% të aksioneve.