18 Nëntor 2024

Kina planifikon reforma për rritjen ekonomike

Pekin, 19 prill - Udhëheqësit kinezë thonë se nuk do të përdorin “stimuj të detyruar” për të nxitur rritjen ekonomike, në një kohë që duket se po zvogëlohet rritja ekonomike më shumë nga sa e kishte parashikuar qeveria.

Qeveria ka përdorur projekte të mbështetura nga shteti në të kaluarën për të nxitur rritjen. Siç na njeh materiali në vazhdim, autoritetet e atij vendi thonë se do të përdorin planet për reformën ekonomike që synojnë të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme.                                    

Gjatë vitit të fundit, presidenti Xi Jinping ka shpallur një sërë reformash për të siguruar vazhdimin e rritjes së lartë të ekonomisë kineze, por këto reforma mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbajtur këto ritme. 
 
Prodhimi i përgjithëshëm i brendëshëm pritet të jetë rritur me 7.3 për qind në tremujorin e parë dhe disa ekonomistë besojnë se Kina nuk do të kapë synimet e qeverisë për një rritje 7.5 për qind këtë vit. Ekonomisti Ran Tao është me Qendrën Brookings Tsinghua.      
 
“Pa zbatimin e reformave ekonomia mund të përballet me rrezik serioz.”
 
Kohët e fundit, kryeministri kinez Li Keqiang tha se autoritetet po përqëndrohen në nxitjen e zhvillimeve të shëndetshme ekonomike afatgjata dhe jo masat afat-shkurtëra që synojnë nxitjen e rritjes së pjesshme.
Ekonomisti Ran Tao thotë se një nga sfidat më të mëdha të reformës është tregu i shitblerjes së shtëpive, çmimet e së cilave janë rritur shumë dhe tani kanë filluar të bien.
 
Qeveria po përpiqet të zbatojë politika që do të minimizonin dy rreziqe të reja ndaj ekonomisë; borxhin qeveritar dhe sistemin bankar. David Dollar me Qendrën John  L. Thornton, thotë se sfida kryesore e udhëheqjes kineze do të jetë tejkalimi i pengesave nga kundërshtarët lidhur me planin për reforma.
 
“Ka shumë kundërshtarë për pjesë specifike të atij plani.”
 
Mes kundërshtarëve janë ndërmarrje të fuqishme nën pronësinë shtetërore kineze. Në bazë të përllogaritjeve, 150 mijë ndërmarrje shtetërore në Kinë kontrollojnë 50 përqind të pasurisë industriale dhe punësojnë 20 për qind të forcës punëtore të atij vendi.  Këto kompani në pronësinë dhe menaxhimin shtetëror janë të mëdha, por nuk kanë aq efikasitet sa simotrat e tyre në sektorin privat.

Autoritetet e pranojnë se këto kompani duhet të ndryshojnë por ekonomisti Ran Tao thotë se reforma nuk po ndodh me shpejtësinë e duhur.
 
“Reforma në kompanitë shtetërore si shpërbërja e monopoleve shtetërore në disa sektorë të rendësishëm që punojnë nën kapacitet ka qënë shumë e ngadaltë.”
 
Shpërbërja e monopoleve mund të jetë e vështirë për qeverinë, por masat e mëtejshme të stimulimit nuk janë. Ulja e taksave për kompanitë e mesme dhe të vogla, përshpejtimi i financimit për projekte të infrastrukturës dhe mbështetja për strehimin publik, janë mes masave të lajmëruara ditë më parë, që mund të ndihmojnë kompanitë e vogla ndërkohë që nxisin ekonominë në përgjithësi.
 
Udhëheqësit kinezë po ashtu po mundohen të luftojnë korrupsionin, një synim që mund të arrihet me pakësimin e financimit për projekte të mëdha në infrastrukturë, thotë profesori Bai Chong-en me universitetin Tsuinghua.
 
“Një spekulim është se korrupsioni zhvillohet më lehtë me projekte të mëdha. Është e vështirë mbledhja e parave nga shitësit e rrugës. Është më e lehtë mbledhja e parave nga një kompani e madhe ndërtimi.”  
 
Ndërkohë që presidenti Xi dhe udhëheqës të tjerë të lartë nxisin reformat që synojnë t’i bëjnë konkurente kompanitë kineze dhe ta bëjnë ekonominë më pak të varur nga shpezimet qeveritare, ekonomistët thonë se ata duhet të veprojnë me urgjencë më të madhe, sepse vazhdon shtimi i rreziqeve brenda sistemit. Ekonomisti Ran Tao parashikon probleme të mëdha nëse nuk realizohen reforma të thella gjatë dy-tre viteve të ardhshëm.
 
“Mund të kemi kriza të mëdha financiare dhe ekonomike.”
 
Tani për tani, udhëheqësit kinezë po kërkojnë reforma ndërkohë që paralajmërojnë kundër pikëpamjeve tepër pesimiste për ekonominë.
 
Në një koment të kohëve të fundit, agjencia kineze e lajmeve Xinhua vinte në dukje se \"nuk ka nevojë për panik, pasi ritmet e rritjes ekonomike në Kinë mbeten të larta në krahasim me ritmet e ulta të kohëve të fundit në vendet perëndimore\".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)