Kina, plane për mbylljen e kompanisë së Ai Wei Wei
Pekin, 3 tetor - Autoritetet në Kinë kanë në plan të mbyllin kompaninë e themeluar nga artisti i njohur Ai Wei Wei.
Konsulenti ligjor i zotit Ai, Liu Xiaoyan, tha sot përmes një blogu, se autoritetet lokale po ja heqin liçencën e biznesit kompanisë së Wei, sepse nuk janë plotësuar kërkesat vjetore të regjistrimit të kompanisë.
Kompania, e cila merret me marketingun e artit të Ai Wei Weit, humbi gjyqin në apelimin e fundit që ai i bëri gjobës prej 2,4 milionë dollarë për evazion fiskal të vendosur nga zyra e taksave e Pekinit vitin e kaluar.
Piktori Ai Wei Wei, i cili është aktivist për mbrojtjen e të drejtave të njeriut përmes Internetit dhe artit të tij, thotë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe ato synojnë ta detyrojnë atë të heshtë.