Kina ndihmë Evropës për krizën e borxheve
Pekin, 29 janar - Kina do të vazhdojë të ndërmarrë veprime konkrete për të ndihmuar vendet evropiane të luftojnë krizën e borxheve sovrane.
Kryeministri kinez Wen Jiabao, e garantoi për këtë homologen gjermane Angela Merkel, gjatë një bisede telefonike.
Kina do ta përkrahë edhe Gjermaninë të luajë një rol më të rëndësishëm dhe të ushtrojë ndikim më të madh gjatë këtij procesi.
Kryeministri Wen u shpreh se përkrahja kineze ndaj Evropës pasqyron shpirtin e partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-evropian. Këto ndihma, tha kryeministri kinez, i shërbejnë rigjallërimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë botërore.
Ndërsa, përveç falënderimeve, kancelaria gjermane Merkel, shprehu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me Kinën.