Kina anëtarësohet zyrtarisht në BERZh
Bruksel, 16 janar - Banka Popullore e Kinës shpalli të premten se Kina ka përfunduar procedurat përkatëse ligjore për hyrjen në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe është bërë tashmë zyrtarisht vend anëtar i kësaj banke.
Një zyrtar i Bankës Popullore të Kinës u shpreh se hyrja e Kinës në BERZh do t\'i japë impuls bashkërendimit të Planit të Investimeve për Europën me nismën \"Një Brez dhe Një Rrugë\", do të nxitë bashkëpunimin midis sektorit shtetëror e atij privat dhe do të krijojë hapësirë më të gjerë për projektet e investimeve të palës kineze në Evropën Qendrore dhe Lindore, pjesën lindore dhe jugore të detit Mesdhe, Afrikën Veriore dhe Azinë Qendrore etj.
Zyrtari tha gjithashtu se anëtarësimi i Kinës në BERZh përputhet me interesat e palëve të ndryshme dhe është me përfitime të ndërsjella.
Pas anëtarësimit, Kina do të mbajë përgjegjësinë e vet, do të marrë pjesë aktivisht në çështjet e kësaj banke dhe do të forcojë bashkëpunimin me vendet e tjera anëtare për ndarjen e përvojës, grumbullimin e fondeve, ndihmën për zhvillimin etj.
BERZh-i është krijuar në vitin 1991 dhe e ka selinë në Londër. Ajo është një nga institucionet më të rëndësishme financiare të zhvillimit rajonal në botë.