KfW rrit nivelin e ndihmave dhe kredive për vendet në zhvillim
Berlin, 17 maj - Grupi i bankave të shtetit KfW e ka rritur nivelin e ndihmave dhe kredive për vendet në zhvillim. Gjatë vitit të kaluar janë ndarë më shumë se gjashtë miliardë euro për projekte të ndryshme në mbarë botën.
Gjatë vitit 2012 janë ndarë mjete financiare në një vlerë të përgjithshme prej 6,2 miliardë euro, gjysmë miliardi më shumë se një vit më parë.
Pjesa më e madhe e ketyre mjeteve - 4,9 miliardë euro - vijnë nga Banka për Zhvillim KfW, ndërsa sasia tjetër prej Shoqatës për investime dhe Zhvillim (DEG).
Nga shuma prej 4,9 miliardë euro, gati tre miliardë euro janë para të KfW, të cilat u jepen vendeve të ndryshme si kredi. Pjesa tjetër vjen në formë ndihmash drejtpërsëdrejti nga sasia e buxhetit të qeverisë për bashkëpunim dhe zhvillim.
Gati gjysma e këtyre ndihmave shkon për vendet e jugut të Saharasë, të cilat nuk janë në gjendje të marrin kredi.
\"Kreditë jepen për vendet më të zhvilluara\", shpjegon Norbert Kloppenburg, anëtar i Kryesisë në KfW. Në anën tjetër vendeve të varfëra u jepen ndihma, dhe pjesa më e madhe e këtyre vendeve është në Afrikë.
Ndër projektet e bashkëfinancuara prej KfW-së është edhe vendosja e kabllove në gjatësi prej 10.000 kilometra në afërsi të bregdetit në lindje të Afrikës.
Projekti ka për qëllim që 27 vendet e atjeshme të kenë një internet më të shpejtë. \"Pa inovacione dhe teknikë sot nuk mund të flitet për një zhvillim të qëndrueshëm\", pohon Kloppenburg.
KfW si bankë shteti përfiton nga boniteti i Republikës Federale të Gjermanisë. Kreditë e saj janë shumë të volitshme, ndaj mund të llogariten zyrtarisht si ndihma për zhvillim. Por për një vend si Kina ky nuk është shkaku i marrjes së kredive, mendon Kloppenburg.
\"Kur KfW angazhohet në një projekt, kjo do të thotë se janë respektuar rregullat ndërkombëtare për tenderë dhe kreditë janë shumë transparente. Në Kinë ka një interes të madh që të përfitohet dhe të mësohet nga përvojat e KfW-së. Më herët apo më vonë, këto rregulla do të zbatohen edhe në Kinë\", pohon ai. Kloppenburg vlerëson se sipërmarrjet gjermane kanë shansa që t\'i marrin punët në gati gjysmën e projekteve të financuara me paratë e KfW-së.