KfW projekt për ngrohje dhe furnizimin me ujë në Prishtinë
Prishtinë, 28 tetor - Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, kanë pritur sot në takim përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, me të cilët është biseduar rreth investimeve që kjo e fundit ka paraparë në Kosovë, me theks të veçantë, për sektorin e ngrohjes qendrore dhe furnizimit me ujë në Prishtinë.
Drejtoresha e KfW-së në Kosovë, Ute Rodrian, pasi dha një pasqyrë të punës së kësaj banke, u ndal në projektet konkrete që ajo ka paraparë për implementim në Prishtinë, veçanërisht për ngrohjen qendrore dhe furnizimin me ujë të qytetit.
Duke folur për projektin e ngrohjes qendrore për qytetin e Prishtinës, ajo potencoi komponentët që e karakterizojnë këtë projekt: riparimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, implementimin e bashkëgjenerimit të kombinuar të ngrohjes dhe energjisë elektrike ndërmjet ngrohtores dhe termocentraleve, instalimit të njehsorëve të ngrohjes, si dhe masat këshillimore për menaxhimin e kompanive të ngrohjes qendrore.
Rodrian foli edhe për efektet e shumëfishta pozitive që do të ketë implementimi i këtij projekti.
Sa i përket projektit për furnizimin me ujë në Prishtinë, ajo tha se përfshin ndërtimin e një impianti të ri për përpunimin e ujërave dhe të një rezervuari përkatës, si dhe instalimin e stacioneve të pompimit dhe linjave të transmetimit për në Prishtinë, e që ka ndikim në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, duke i falënderuar përfaqësuesit e KfW-së për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane për Kosovën, projektet e prezantuara i konsideroi të një rëndësie të veçantë për vendin.
Investimet në ngrohje dhe ujë ajo i vlerësoi shumë të dobishme dhe të domosdoshme për qytetarët e Prishtinës, duke pasur parasysh që ato do të ketë efekt të drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës për ta.
Zëvendëskryetari i parë i komisionit, Naser Osmani, projektet i konsideroi strategjike për Kosovën dhe shtroi nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit me Bankën Gjermane për Zhvillim. Ai e vlerësoi të rëndësishme njohjen e drejtpërdrejtë me këto projekte përmes vetë përfaqësuesve të KfW-së.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, Latif Gashi e Sali Asllanaj ngritën çështje që lidheshin me projektet e prezantuara, duke veçuar rëndësinë e tyre për qytetarët e kryeqytetit.