Këtë javë temperaturat deri 35 gradë
Prishtinë, 5 korrik - Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se Kosova do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit të cilat burimin e kanë nga Afrika Veriore.
Këto masa do të jenë të qëndrueshme në pjesën dërmuese të javës që po hymë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës, nga dita e hënë deri të mërkurën, do të lëvizin ndërmjet 31-35 gradë Celsius.
Të enjten ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu. Pjesa qendrore dhe veriore e Kontinentit do të jetë nën ndikimin e masave të paqëndrueshme të ajrit të cilat do të kushtëzojnë një mot jostabil me reshje shiu, derisa e gjithë pjesa tjetër e Kontinentit do të ndikohet nga masat e thata dhe të nxehta të ajrit të përcjelluar me pak vranësira dhe kthjellime dominuese, thuhet në komunikatën e IHK-së.
Sipas IHK-së, edhe përgjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura tipike verore. Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 17-23 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës do të lëvizin nga 31-38 gradë celsius. Shtypja atmosferike do të pësojë zbritje ditën e mërkurë dhe si rezultat i kësaj zbritje në ditët vijuese do të ketë edhe rënie të lehta të temperaturave maksimale. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.