Këshilli Konsultativ po realizon rolin e paraparë
Prishtinë, 8 maj - Ministri i Financave Besim Beqaj ka vlerësuar sot se Këshilli Konsultativ i përbërë nga ATK-ja, Dogana, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe Ministria e Financave ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e shqetësimeve dhe kërkesave të bizneseve dhe njëkohësisht ka siguruar respektimin e ligjshmërisë dhe barazisë së bizneseve para institucioneve të Doganës dhe ATK-së.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit, Ministri Beqaj ka thënë se sot është debatuar rreth reformave në Doganë, për progresin e bërë deri më tani në këtë drejtim.
Normalisht për të diskutuar edhe problemet eventuale të cilat mund të paraqiten gjatë implementimit të reformave në Doganë. Dua të them që performanca e Doganës dhe ATK-së gjatë tremujorit të parë është shumë e mirë, është performancë e cila po na tregon që aktiviteti i përbashkët me biznesin, me Administratën Tatimore të Kosovës, me Doganën dhe institucione të tjera po jep rezultatet e veta në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale, tha Ministri Beqaj.
I pari i Ministrisë tha se bashkërisht me komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile është hartuar strategjia dhe plani i veprimit për luftimin e ekonomisë joformale, të cilat tani më janë duke dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në baza ditore, rezultatet e veta.
Diskutuam për depot doganore, për të cilat para disa ditësh janë caktuar kriteret për licencim, rreth funksionimit të garancioneve të cilat kërkohen për depo dhe rreth asaj se sa janë bizneset të kënaqura me këto reforma nëpër depot doganore.
Në takim janë trajtuar edhe çështje të cilat janë ngritur lidhur me pakënaqësitë sa i përket sektorit të tekstilit dhe nga takimi që kishin dje në Doganë, për herë të parë sot kemi regjistrimet e para të bizneseve, të cilat si tregtar deri më tani nuk kanë qenë të regjistruar , por kanë qenë vetëm tregtarë të paevidentuar, ndërsa janë përfaqësuar nga transportuesit.
Që nga sot deri në fund të majit ata kanë afatin për tu regjistruar dhe për tu identifikuar si subjekt taksapagues në raport me shtetin. Është një avancim shumë i madh tha Ministri Beqaj dhe falënderoi komunitetin e biznesit, por edhe të gjithë anëtarët e Këshillit Konsultativ që me një bashkëpunim të sinqertë janë duke i diskutuar problemet dhe duke gjetur zgjidhje ligjore për të gjitha ato sfida apo për të gjitha ato probleme të cilat na paraqiten.
Kryesuesi i Këshillit Konsultativ, Agim Shahini tha se në këtë Këshill janë duke u diskutuar çështjet më vitale që ju interesojnë bizneseve, që të krijohen kushte që bizneset të kenë një punë të përditshme të rehatshme, që të trajtohen në mënyrë të ligjshme.
Por, edhe biznesi gjithmonë të punojë në mënyrë të ligjshme, që të mos mbështetin informalitetin dhe bashkërisht me institucionet shtetërore por edhe vetë ne si biznese të luftojmë informalitetin i cili është prezent në Kosovë. Tash ky informalitet në mënyrë më aktive po luftohet, dhe mund të kemi edhe reagime, tha kryetari Shahini.
Ai theksoi se institucionet e vendit por edhe përfaqësuesit e biznesit dëshirojnë dhe angazhohen për komunitet biznesi modern dhe sektor të fuqishëm privat .
Dhe për këtë edhe ne si Këshill, jemi duke i mbrojtur interesat e biznesit karshi institucioneve, por njëkohësisht jemi duke luftuar informalitetin dhe së fundi edhe korrupsionin, tha Shahini