Këshilli Kombëtar miraton 39 projekte në vlerë 2,4 miliard euro
Prishtinë, 9 dhjetor - Këshilli Kombëtar për Investime, mbajti sot takimin e dytë të bashkëkryesuar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku si dhe ministri i i Financave, Avdullah Hoti, gjatë të cilit miratoi Listën Prioritare të Projketeve Infrastrukturore të përbërë nga 39 projekte në fushën e transportit, energjisë dhe mjedisit e cila do ti përcillet për miratim Qeverisë së Kosovës.
Në hapje të këtij takimi ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka bërë të ditur se pesë muaj pas mbajtjes së takimit konstituiv të këtij këshilli, është arritur që me një punë intensive të hartohet programi prej 400 faqesh i investimeve infrastrukturore i përbërë nga 39 projekte: 11 në fushën e transportit, 13 të energjisë dhe 15 në fushën e mjedisit në vlerë prej 2.4 miliard euro.
Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës kanë arritur të përgatitin një program të qartë të investimeve infrastrukturore për dekadat në vijim. Çdo projekt i identifikuar është vlerësuar sipas kritereve të dakorduara me BE-në dhe është ranguar sipas rëndësisë strategjike dhe kontributit në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Po ashtu, çdo projekt ka kaluar edhe nëpër fazën e vlerësimit të pjekurisë për investime dhe fillimin e punimeve, ka informuar ministri Collaku.
Po ashtu ministri Çollaku ka nënvizuar se kjo Listë e projekteve do të shërbej si udhërrëfyes për investimet e ardhshme infrastrukturore në Kosovë dhe bazë për orientimin e shpenzimeve buxhetore, asistencën e donatorëve dhe negociatave financiare me Bankat zhvillimore.
Kurse ministri i Financave z. Avdullah Hoti, foli për aplikacionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përfitim nga raundi i ardhshëm i Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimorë (WBIF) dhe njoftoi të pranishmit se në kuadër të përvojës së suksesshme në WBIF, në raundin e 14 të hapur në gushtë 2015 janë aprovuar aplikacionet siç janë: dizajni detal dhe dokumentacioni i tenderit për fazën e dytë të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, dizajni detal dhe dokumentacioni të tenderit për Fushë Kosovë Merdare që përfshinë fazën e dytë të linjës hekurudhore si dhe vazhdimi projektit ekzistues për studimin e fizibilitetit për kanalin e Lepencit.
Ndërsa sa u përket aplikacioneve për raundin e ardhshëm, respektivisht raundin 15 të WBIF për muajin janar ju njoftojmë se Ministria e Financave dhe Ministria e Integrimit Evropian në koordinim të plotë me të gjitha ministritë të cilat kanë mundësi për përfitim sipas kushteve të WBIF kanë identifikuar aplikacionet nga ministritë dhe ndërmarrjet publike duke u bazuar edhe në prioritetet e Qeverisë së Kosovës për ti dërguar në raundin e 15 të WBIF, ka shpjeguar ministri Hoti.
Gjatë këtij takimi, Këshilli po ashtu ka diskutuar edhe veç e veç listat prioritare të projekteve bazuar në tri sektorët, atë të transportit, energjisë dhe mjedisit të cilat u prezantuan nga ministrat përkatës. Njëkohësisht Këshilli ka mbështetur edhe 2 aplikacionet për raundin e ardhshëm të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimorë.
Në këtë takim përveç ministrave anëtarë të këshillit, prezentë ishin edhe përfaqësues të ambasadave si dhe organizatave ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve rajonale për investime infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor e njohur si Connectivity agenda.
Pas takimit të Berlinit, janë mbajtur edhe 3 takime të tjera, gjegjësisht takimi i Beogradit, Prishtinës dhe i Brukselit derisa progresi u konsolidua me Samitin e Vjenës që u mbajt në gusht të këtij viti. Në kuadër të takimeve Western Balkan 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ishin dokorduar për themelimin e Këshillave Kombëtare për Investime, obligim ky që ka rrjedh nga procesi i Berlinit. Këta këshilla janë platforma përmes së cilave do të diskutohen planet e financimit për secilin hap të ndërlidhur me projektet nga Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore. Për këto projekte BE-ja ka paraparë afro 1 miliard euro në kuadër të procesit të Berlinit.
Projekti për Rehabilitimin e Linjës 10 hekurudhore është projekt i parë i cili do të zbatohet nga agjenda e Berlinit. Kosova ka përfituar grantin e parë në vlerë prej 40 milion euro nga BE, për fazën e parë të projektit, si dhe është nënshkruar kredia prej 39.9 milion euro me EBRD dhe 42 milion euro me EIB. Kosova do të aplikoj për grant të dytë nga BE në vlerë prej 40 milion euro. Punimet në linjën 10 pritet të fillojnë në dhjetor 2016.