Këshilli Kombëtar fuqizon reformat ekonomike në Kosovë
Prishtinë, 2 tetor - Nën udhëheqjen e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza KusariLila, sot u mbajt takimi i dymbëdhjetë me radhë i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE).
Ministrja Kusari-Lila në fillim të takimit i vlerësoi të rëndësisë së veçantë reformat të cilat po ndërmerren në fushën ekonomike në takimet e këtij Këshilli, duke iu referuar edhe diskutimeve rreth iniciativave të ndërmarra nga ky Këshill siç janë: amandamentimi i Ligjit për Prokurimin Publik, reformën në sistemin e lejeve dhe licencave, ndryshimin e ligjit të festave zyrtare, amandamentimi i Ligjit të Punës dhe Projektligjit për Inspektime.
Kusari-Lila po ashtu tha se në këtë mbledhje do të diskutohet rreth fillimit të negociatave për komponentën tregtare si pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më BE-në, si dhe rreth procesit të përmbylljes dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë më Turqinë.
Ajo bëri të ditur se në agjendë ishin edhe raportimi nga Ministria e Financave rreth aplikimit të TVSH-së për produktet bujqësore dhe ushqimore si dhe draft marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e tregtisë në mes të dy shteteve.
Kusari-Lila i ka informuar anëtarët e KKZHE-së se ky është takimi i fundit i Këshillit që kryesohet nga ajo në cilësinë e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Tregtisë dhe Industrisë.
Siç dihet tashmë në opinionin publik sot është dita e fundit e imja në këtë pozitë, pasi që tërhiqem nga të gjitha pozitat për të vazhduar garën në nivelin lokal. Jam shumë e lumtur, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që kemi qenë së bashku të funksionalizojmë këtë Këshill të koordinimit të politikave ekonomike, që të vazhdojmë punën për reformat ekonomike shumë të domosdoshme në Kosovë, që të ngrisim bashkëpunimin në sektorin publiko-privat si dhe të fuqizojmë koordinimin e politik-bërjes ekonomike.\"
\"Gjatë këtij një viti e gjysmë dhe gjatë këtyre dymbëdhjetë takimeve të KKZHE-së, ky Këshill ka organizuar dhe harmonizuar aktivitetet e institucioneve shtetërore në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe investimeve në Republikën e Kosovës, tha Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila.
Në anën tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e përgëzoi Ministren Kusari-Lila për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Ju falënderoj për punën e shkëlqyeshme, e munguar më herët në Kosovë sa i përket këtij sektori në këtë nivel të cilësisë dhe ju përgëzoj për suksesin e plotë që keni pasur nën udhëheqjen e këtij Këshilli. Ky Këshill ka sjellë risi, suksese dhe ndër meritat kryesore ju takojnë juve, tha Kryeministri Thaçi.
Ai gjithashtu vlerësoi se gjatë këtij tremujori, Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar një mori suksesesh të reja në fushën e ekonomisë, sidomos në atë të tregtisë, investimeve në sektorin privat, infrastrukturës rrugore si dhe në atë të energjisë.
Si rezultat i negocimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Turqisë, qeveritë e të dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë. Kjo marrëveshje pritet të hapë rrugë të reja për shkëmbime tregtare në mes të bizneseve të vendit tonë me ato të Turqisë, si dhe në rritjen e investimeve turke në Kosovë dhe anasjelltas. Me këtë marrëveshje është paraparë edhe mbrojtja e disa sektorëve të ndjeshëm prodhues.\"
\"Republika e Kosovës ka filluar të përgatis një marrëveshje të ngjashme edhe me Republikën e Shqipërisë dhe këtë e kemi diskutuar edhe në vizitën e fundit, në takimet që kemi zhvilluar me kryeministrin Rama. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të nxitet dhe lehtësohet tregtia mes dy vendeve duke thjeshtësuar dhe harmonizuar rregulloret dhe kërkesat për transportin, tregtinë dhe doganat, tha Thaçi.
Krejt në fund, Kryeministri Thaçi ka falënderuar edhe njëherë Zëvendëskryeministren Kusari-Lila për punën, angazhimin dhe përkushtimin.