Këshilli Ekonomiko Social vizitë zyrtare në Vjenë
Prishtinë, 29 qershor - Anëtarët e Këshillit Ekonomiko Social (KES) po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë.
Në këtë vizitë po marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ata të Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Bizneseve si dhe zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Vizita në Austri, po bëhet në kuadër të projektit Përkrahje e Partnerëve Social, i cili financohet nga BE-ja dhe implementohet nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS). Fuqizimi sindikal për përmirësimin e dialogut social është në fokus të kësaj vizite.
Anëtarët e Këshillit Ekonomiko Social, fillimisht, janë takuar me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Austri , Sami Ukelli me të cilin diskutuan për sfidat në mirëqenie sociale si dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Me këtë rast ambasadori Ukelli, i njoftoi të pranishmit rreth funksionimit të sistemit austriak. Tha se shkëmbimi i përvojave do të ndikoj pozitivisht në përmirësimin e sistemit.
Përfaqësuesit nga Kosova u takuan edhe me deputetin Karl Öllinger, ku u diskutua për përgjegjësit e shtetit drejtë BE-së.
Delegacioni nga Kosova është takuar edhe me përfaqësues të katër partnerëve social në Odën Ekonomike të Austrisë, si dhe më përfaqësues të Odës së Punëtorëve. Gjithashtu, janë zhvilluar takime pune edhe me Institutin Austriak për Hulumtime Ekonomike dhe Institutin Hayek.
Ata shkëmbyen përvoja për mënyrën e organizimit të sindikatave, për ndikimin dhe rolin e Odës Ekonomike në dialogun social, si dhe për rolin e shtetit në këtë dialog në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Vizita në Vjenë ishte një rast i mirë për shkëmbimin e përvojave por mbi të gjitha ishte një mundësi shumë e mirë për vurjen e kontakteve për bashkëpunim në të ardhmen mes sindikalistëve të Austrisë dhe Kosovës.
Kjo është vizita e katërt që partnerët social i kanë bërë shteteve të BE-së. Fillimisht ishte vizituar Berlini dhe Amsterdami. Vizita e tretë ishte organizuar në Pragë dhe pjesëmarrës kanë qenë vetëm përfaqësuesit e sindikatave.