06 Nëntor 2024

Këshilldhënia ndikon në zhvillimin e sektorit privat dhe publik 

Prishtinë, 7 qershor - Dje me datë 6 qershor është manifestuar  Dita Botërore e Konsulencës e cila shënohet në 50 shtete të ndryshme të botës, dhe me këtë rast, Business Consultants Council (BCC) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë organizuar një eveniment në nivel të institucioneve publike dhe private për ndikimin e këshillëdhënies dhe vlerën e operimit të saj në institucione.

BCC  është shoqata e vetme në Kosovë, qëllimi i së cilës është promovimi dhe ruajtja e standardeve profesionale në sektorin e konsulencës, e njohur nga homologët e saj ndërkombëtarë për profesionalizmin, etikën dhe standardet e përsosmërisë. Anëtaret e BCC bashkë me BERZH-in përfaqësojnë 80% të komunitetit  të konsulentëve vendor ndër të cilët 48 janë konsulentë menaxherial të certifikuar - CMC ® anëtarë në rrjetin ndërkombëtar që ngërthen 2 milionë konsulentë në mbarë botën.

Eventi ka pasur për qëllim diskutimin për perspektivën, rëndësinë dhe njohjen e konsulencës si profesion dhe rrjetëzimin me akterë institucional si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Zhvillimit Rajonal  dhe akterët si Odat Ekonomike dhe Shoqatat e sektorëve të ndryshëm. Njëkohësisht u prezantua për herë të pare video animacioni për promovimin e platformës digjitale për konsulentë www.konsulenca.org

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Z. Bajram Hasani përgëzoi manifestimin e ditës botërore të konsulencës në Kosovë. Ai theksoi se bizneset private dhe kompanitë e ndryshme kanë nevojë për këshillëdhënie bazuar në fushëveprimet e ndryshme dhe se MTI është e përkushtuar që përmes projekteve që financohen nga Komisioni Evropian, COSME,Banka Botërore të ndihmojnë ndërmarrjet lokale dhe këtu konsulentët luajnë një rol të madh në zhvillimin e projekteve investive për këto ndërmarrje.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për efiçiencë të energjisë, Z. Arsim Koliqi, theksoi që Agjencia është duke ndërmarrë projekte si për sektorin publik ashtu edhe privat që kërkojnë angazhim të konsulentëve për implementim të tyre. Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të implementojë investime me vlerë prej 31 milionë eurosh për efiçiencën e energjisë dhe do të angazhojë konsulentët.

Z. Visar Dobroshi,Sekretari i Bordit të BCC-së, theksoi se BCC është ombrella e vetme e konsulentëve vendor nga fushëveprime të ndryshme të cilët ofrojnë shërbime kualitative dhe e përkushtuar të rrit përgjegësinë tek konsulentët dhe kompanitë konsulente për të qenë transparent dhe të përgjegjshëm. Në fund theksoi se zhvillimi dhe angazhimi i konsulentëve vendor ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe gjenerimin dhe rritjen e investimeve kapitale në sektorin publik dhe privat.

Zj. Leonora Kusari, Menaxhere në Departmentin e Këshilla për Biznese të BERZH-it, prezantoi perspektivën dhe sfidat e tregut të konsulencës në Kosovë si dhe përkrahjen e vazhdueshme të këtij institucioni në ngritjen e kapaciteteve të konsulencës vendore të cilët kanë ndihmuar bizneset kosovare në zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre. BERZH ndër vite ka trajnuar mbi 360 konsulentë vendor dhe ka angazhuar mbi 230 sosh për të implementuar projekte të këshillëdhënies tek mbi 800 NMVM, e cila përkrahje financiare kap vlerën mbi 7.5 milionë €  falë kontributit të donatorëve si Bashkimi Evropian, Holanda, Fondi i Veçantë i Aksionerëve të BERZH-it, Luksemburgu dhe Suedia.  Vetëm në 3 vitet e fundit, 63%  e ndërmarrjeve të përkrahura kanë rritur punësimin, 78% e tyre kanë rritur produktivitetin dhe 9% e tyre kanë arritë të tërheqin investime mbi 19 milion euro.

Ngjarja u shënua edhe me nënshkrimin e 9 memorandumeve të bashkëpunimit mes BCC-së dhe Innovation Centre Kosovo (ICK), Odën Ekonomike Britanike, IPKO Foundation, G7, CEED Kosovo, Shoqatën KAMA, Shoqatën STIKK, Shoqatën e Përpunimit të Metalit dhe Energjisë së Ripërtërishme dhe Shoqatën e Përpunimit të Drurit, të cilat do të kontribojnë në shkëmbimin e shërbimeve, bashkëpunimeve dhe zhvillimin mes institucioneve nënshkruese.

Në fund, Drejtoresha e BCC-së, Zj. Jehona Lluka  fton konsulentët të anëtarësohen dhe regjistohen në platformë si dhe kompanitë dhe shoqatat të anëtarësohen dhe të përfitojnë nga shërbimet e këshillëdhënies. Poashtu, Zj. Lluka fton Ministritë që të bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitetet që ndërlidhen me  angazhimin e konsulentëve në implementimin e projekteve publike dhe përkrahjen në zhvillimin e projekteve për sektorin privat.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)