KES, nuk pajtohen për pagën minimale
Prishtinë, 29 gusht - Përcaktimi i pagës minimale në sektorin privat nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) që për personat nën moshën 35 vjeçare të jetë 135 euro, dhe mbi këtë moshë 170 euro edhe më tej vazhdon të jetë e papranueshme nga anëtaret e Këshillit Ekonomiko Social.
Këta të fundit po kërkojnë që paga minimale në nivel vendi të jetë diku 65 për qind e pagës mesatare në vend.
Të mërkurën, gjatë takimit, anëtarët e KES-it kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, duke mos u pajtuar me udhëzimin që paga minimale të përcaktohet, duke bërë kategorizimin e saj. Por, sipas tyre, paga minimale duhet të përcaktohet në nivel vendi.
Alush Sejdiu, kryesues i këshillit, tha se nuk janë të kënaqur me këtë draft propozim për përcaktimin e pagës minimale. Sipas tij, me amendamentin e Ligjit të ri të Punës nuk janë prekur kriteret e përcaktimit të pagës minimale në Kosovë.
Absolutisht kundërshtojmë kategorizimin e pagës minimale sipas moshës, gjithashtu, edhe përcaktimi i pagës minimale për praktikantë që është një diskrepancë se paga duhet të caktohet në nivel vendi dhe të jetë unike për tërë territorin e vendit, ka thënë ai.
Më tej, ai tha se gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës, gjithashtu dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend si dhe shkalla e përqindjes së papunësisë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Berat Luzha, bënte presion në këshill se afati i fundit për nënshkrimin e udhëzimit administrativ për pagën minimale është 31 gushti.
Duhet të shpejtojmë që vërejtjet tona në formë të rekomandimeve ti dorëzojmë brenda dy ditëve, në mënyrë që Ministria i Financave ti ketë parasysh ato, tha ai. Sepse në të kundërtën, sipas Luzhës, Ministria e Financave ka kompetenca që edhe pa rekomandimet e anëtarëve të KES-it ta nënshkruajë këtë udhëzim administrativ, ka thënë ai.
Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK), tha se propozimet e Këshillit nuk po merren parasysh.
Me të njëjtin këshill me të njëjtën përbërje është Holanda e cila është shumë e përparuar në këtë drejtim. Kur merren qëndrime të përbashkëta punëdhënës dhe punëmarrës, Qeveria më nuk e diskuton atë punë, ajo vetëm nënshkruan edhe pikë, tha ai.
Sipas tij, paga minimale nuk duhet të ketë kategorizim, por ajo të përcaktohet në të gjithë sektorët, në nivel vendi.
Jam i bindur që me këto kategorizime nuk do ta rrisin asnjëherë numrin e punësisë, të rinjtë duhet stimuluar, tha më tej ai.
/Zëri/