Kerry i kërkon Kinës bashkëpunim me Bankën Botërore
Washington, 18 maj - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i kërkoi Pekinit që Banka Aziatike për Investimet në Infrastrukturë (AIIB), të bashkëpunonte me institucionet lider në këtë fushë
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i kërkoi Pekinit që Banka Aziatike për Investimet në Infrastrukturë (AIIB), të cilën Kina e mbështet fuqishëm, të bashkëpunonte me institucionet lider në këtë fushë duke u distancuar kështu nga kundërshtimi që i kishte bërë më parë krijimit të kësaj banke.
Ne përshëndesim AIIB-në dhe e nxisim atë për të bashkëfinancuar disa projekte me institucionet financiare ekzistuese si Banka Botërore (WB) apo Banka Aziatike e Zhvillimit (ADB), deklaroi Kerry pas bisedimeve me homologun e tij kinez, Wang Yi, dje në mbrëmje.
Ky ndryshim i qëndrimit amerikan vjen pasi katër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe, mbështetën krijimin e kësaj banke të sponsorizuar nga Pekini, që Uashingtoni e sheh si rivale të Bankës Botërore.
Gjatë konferencës së shtypit, Kerry përsëriti qëndrimin amerikan lidhur me menaxhimin dhe transparencën e institucionit të ri bankar aziatik.