Kërkohet reciprocitet për Shqipërinë
Prishtinë, 30 korrik - Kosova duhet ti përgjigjet me reciprocitet Shqipërisë e cila po bllokon depërtimin e produkteve medicinale Made in Kosova në tregun shqiptar.
Kështu tha kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu në një konferencë për media, në të cilën pohoi se raportet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mbeten shqetësuese.
\"65 produkte farmaceutike të Shqipërisë janë të pranishme në tregun tonë, ndërsa produktet Made in Kosova nuk mund të jenë të pranishme në tregun e Shqipërisë. Andaj i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë të përdorë masa reciprociteti për produktet e Shqipërisë\", tha ai. Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, theksoi se raportet tregtare Kosovë-Shqipëri nuk janë as për së afërmi në nivelin e nevojave dhe kërkesave, por as në nivelin e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet ndërshtetërore.
Raportet me Shqipërinë më shumë po del të jenë idilike dhe shfaqje teatrale para kamerave. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet bllokada e papranueshme e produkteve farmaceutike të prodhuesit kosovar Trepharm, tha Gërxhaliu.
Të njëjtën e ka kërkuar edhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës. Arian Zeka, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po ashtu kërkoj që urgjentisht të zgjidhet problemi, duke shtuar se përveç deklaratave politike, shfaqjeve teatrale të dyanshme, duhet të krijohen kushte reale për zhbllokimin e produkteve farmaceutike të Kosovës.