28 Prill 2025

Kërkohet ngritja e fondeve për fëmijët pa kujdes prindëror

Prishtinë, 19 prill - Sot, Coca-Cola Hellenic Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Rrjetin CSR Kosovë ka ftuar të gjitha kompanitë, partnerët dhe qytetarët të bashkohen me ta në përpjekje për të rritur sa më shumë fonde dhe donacione për fëmijët pa kujdes prindëror në Fshatrat e Fëmijëve SOS në dhjetë ditët e ardhshme.
 
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se projekti është i një rëndësie kombëtare, dhe ka bërë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë në këtë kauzë dhe organizim të denjë.

Ai theksoi mbështetjen e Ministrisë për projekte të tilla, që synojnë të ndihmojnë grupet më të prekshme dhe që sjellin një perspektivë për një të ardhme më të mirë për ata që kanë nevojë më së shumti.

Përfaqësuesi i Coca-Cola Hellenic në Kosovë, Shemsi Ahmeti ka theksuar se Coca-Cola Hellenic ka një traditë të gjatë të angazhimit në komunitete lokale, pasi që kjo është një nga prioritetet tona kryesore.

\"Kompania jonë është e angazhuar veçanërisht me ndihmat humanitare për fëmijët dhe sidomos atyre pa kujdes prindëror, dhe për shumë vite i ka mbështetur Fshatrat  e Fëmijëve SOS. Këtë vit ne jemi duke marrë një hap më tej, nëpërmjet partneritetit me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Rrjetin CSR Kosovë, duke u bërë thirrje të gjitha kompanive, organizatave dhe qytetarëve, që të na bashkohen në mbledhjen e fondeve për këtë organizatë të vlefshme, dhe duke ndihmuar fëmijët në nevojë,\" shpjegoi Ahmeti.

Arian Zeka, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, dhe Robert Wright, Kryetari i Bordit të Rrjetit CSR në Kosovë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për këtë fushatë për mbledhjen e fondeve dhe theksuan nevojën urgjente për fonde për Fshatrat e Fëmijëve SOS.

Zeka njoftoi se të gjitha fondet e mbledhura gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të jepen në Fshatrat e Fëmijëve SOS më 30 Prill, Dita e Vullnetit të Mirë, kur punonjësit nga organizatat partnere dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj iniciative, do të vijnë së bashku që të krijojnë një ditë të veçantë për fëmijët në fshatrat SOS.

\"Dita e Vullnetit të Mirë nuk do të sjellë vetëm fonde shumë të nevojshme për mbijetesën dhe mirëqenien e përditshme të fëmijëve, por gjithashtu do të nxisë krijimtarinë dhe integrimin e tyre në komunitet. Kjo do t’iu tregojë atyre që ne kujdesemi dhe angazhohemi në shumë mënyra për t’i ndihmuar ata të rriten të shëndetshëm dhe të lumtur,\", tha Robert Wright.

Drejtor Kombëtar i Fshatrave të Fëmijëve SOS, Nezahat Ramadani Salihu, shprehu mirënjohje për të gjithë partnerët e projektit, dhe kujtoi se qendra SOS kujdeset për foshnjat e braktisura dhe të vegjëlit, ka një program për integrimin e fëmijëve në familje, drejton një qendër që përkrahin tranzicionin drejt pavarësisë, dhe drejton projektet për forcime familjare në komunitetet të margjinalizuara, që kanë për qëllim parandalimin e braktisjeve të fëmijëve.

\"Fëmijët dhe familjet në kujdesin tonë janë në nevojë urgjente të fondeve, të cilat do të sigurojnë mbijetesën dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm\", ka thënë Ramadani Salihu.

Të gjithë ata të cilët duan t’i bashkohen mbledhjes së fondeve dhe të kontribuojnë në këtë  iniciativë, mund të kontaktojnë Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë në dhjetë ditët e ardhshme.

Fondet e mbledhura do të dorëzohen në Fshatrat e Fëmijëve SOS më 30 Prill, në Ditën e Vullnetit të Mirë, kur vullnetarë nga të gjitha organizatat partnere do të mblidhen për të krijuar një ditë të veçantë për fëmijët që jetojnë në kujdesin e Fshatrave të Fëmijëve SOS.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)