Kërkohet hartimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik
Prishtinë, 28 gusht - Dialogu mes institucioneve publike dhe sektorit privat, si dhe reformat rrënjësore strategjike që do të ndihmonin në fuqizimin e sektorit privat në përgjithësi dhe rritjes së aftësisë konkurruese të prodhueseve kosovarë, duhet të vazhdojnë edhe më tej.
Ky ishte mesazhi që përcolli Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza Kusari-Lila, gjatë një mëngjesi pune të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Erolld Belegu falënderoi znj. Kusari-Lila për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të dëgjuar shqetësimet dhe problemet që adresohen nga komuniteti i biznesit.
Ai gjithashtu, shtoi se takime të tilla janë një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendimet dhe përvojat që ndihmojnë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
Belegu shprehu shqetësimet e Odës Amerikane përkitazi me mosefikasitetin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), duke theksuar nevojën e hartimit të një Strategjie Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik, duke paralajmëruar që Oda Amerikane shumë shpejtë do të dalë me një qëndrim më të qartë përkitazi me punën e KKZHE-së.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Mimoza Kusari-Lila u shpreh se me kënaqësi i pranon gjithmonë ftesat nga Oda Ekonomike Amerikane, duke vlerësuar vullnetin e Odës për bashkëbisedime rreth problemeve me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit.
Duke përsëritur synimin tashmë të bërë publik, për të garuar për Kryetare të Gjakovës, ajo u zotua se pavarësisht pozitës së saj në të ardhmen, do të vazhdojë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit edhe në të ardhmen.
Ajo inkurajoi komunitetin e biznesit që të jenë më aktiv në lidhje me adresimin e çështjeve dhe problemeve duke këshilluar që të mos heqin dorë deri sa të merren parasysh dhe të shqyrtohen kërkesat e tyre.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka , tha se në kuadër të përgjegjësive të saja si partner për zhvillimin ekonomik të vendit, Oda Amerikane është duke punuar në hartimin e lehtësirave fiskale që do të mbështesnin fuqizimin e sektorit privat në Kosovë dhe do të shërbenin për tërheqjen e investimeve të huaja.
Ai gjithashtu tha se pas paralajmërimit për dorëheqje të znj. Kusari-Lila, për komunitetin e biznesit do të jetë e rëndësishme emërimi sa më i shpejtë i pasardhësit të znj. Kusari-Lila për të ruajtur vazhdimësinë e dialogut dhe përpjekjeve për përmirësimin e mëtejmë të mjedisit afarist në vend.
Gjatë këtij takimi, të pranishmit patën gjithashtu mundësinë që të diskutojnë për problemet me të cilat ata përballen gjatë afarizmit të tyre por edhe të informohen nga znj. Kusari-Lila mbi masat që po i ndërmerr Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për përmirësimin e ambientit afarist.
Gjatë takimit poashtu u theksua edhe rëndësia e rritjes së përkrahjes për prodhuesit vendor, të cilët në anën tjetër duhet të investojnë në përmirësimin e cilësisë së produkteve të tyre konform standardeve ndërkombëtare të cilësisë, që do të ndikonte në rritjen e aftësisë konkurruese të sektorit prodhimtarisë së vendit para nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë me Turqinë dhe me Bashkimin Evropian.