Kërkohet fuqizim i kapaciteteve prodhuese për përfitime nga MSA
Prishtinë, 7 prill - Për të diskutuar mbi ndikimet e Marrveshjës së Stabilizim Asociimit (MSA) përgjatë një viti prej hyrjes në fuqi, sfidat me të cilat janë përballur dhe vazhdojnë të përballen kompanitë prodhese vendore si dhe implikimet që kjo marrëveshje do të mund të ketë në të ardhmen, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tyrezë diskutimi me Ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane tha se edhepse pritjet e shumicës kanë qenë që MSA do të ndikojë në rritjen drastike të eksporteve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, jo për shkak të politikave të pafavorshme fiskale, por për shkak se Kosova përfiton nga një status preferencial tregtar me shtetet e BE-së.
Zeka theksoi se mos hyrja në fuqi e masave fiskale të premtuara nga qeveria, në kuadër të së cilës Oda Amerikane ka kërkuar zgjërimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore dhe pushimet tatimore, mbesin ende shqetësim i përbashkët i Odës Amerikane duke shprehur drojën që MSA do të rrisë presionin mbi industrinë prodhuese në vitet në vijim.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami u shpreh se shqetësues mbetet vëllimi i bilancit negativ tregtar, ndërsa pako e dytë fiskale tha se do të vihet në aprovim në mbledhjen e radhës së qeverisë së Kosovës.
Bajrami theksoi projektin me Bankën Botërore, i cili do të mundësojë që institucionet kosovare të anëtarësohen në institucione ndërkombëtare të BE-së, përmes të cilës Kosova do të mund të ofrojë certifikimin e produkteve, certifikata të cilat do të njihen ndërkombëtarisht.
Përgatitja e strategjisë së eksportit, subvencionimi i pagave nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale dhe lirimet nga dogana, Bajrami konsideroi se do të ndihmojnë në nxitjen e eksportit.
Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se situata politike dhe përafrimi i legjislacionit me BE-në paraqesin sfida në zbatimin e mirëfilltë të MSA-së dhe përfitimin nga kushtet që kjo marrëveshje ofron për industrinë e prodhimit, ndërsa Kushtrim Ahmeti Gazetar i ekonomisë në KTV theksoi se qasja në financa, imazhi i Kosovë para shteteve tjera dhe cilësia e produkteve vendore kanë ndikuar që këto të fundit mos të jenë konkurrente në tregun e BE-së.
Visar Hapçiu nga Departamenti i Politikave të Odës Amerikane prezantoi gjetjet e anketës me anëtarët e Odës Amerikane dhe kërkesat e anëtarëve, në mesin e të cilave ishin: largimi i akcizës në lëngje, furnizimi me energji elektrike dhe ndryshimi i strukturës tarifore, liberalizmi i vizave dhe lirimi i lëndëve të para nga detyrimet doganore.