Kërkohet avancimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë - Kroaci
Prishtinë, 13 dhjetor - \"Ekzistojnë të gjitha kushtet për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike në mes të Kosovës dhe Kroacisë\" u konstatuan në takimin e sotëm në Zagreb, të ministrave të Financave të Republikës së Kosovës, Besim Beqaj dhe Republikës së Kroacisë, Slavko Liniq.
Ministri Beqaj me këtë rast ka vlerësuar se pavarësisht krizës së Eurozonës dhe zhvillimeve regjionale, ekonomia e Kosovës edhe gjatë viteve të fundit ka pasur trende pozitive të rritjes, dukem theksuar se në periudhën e ardhme planifikohet rritja mesatare ekonomike vjetore rreth 4.6 për qind.
Duke theksuar se gjatë viteve të kaluara, Qeveria ka investuar mjaft në fushat me prioritet siç janë infrastruktura rrugore, arsimi, bujqësia dhe shëndetësia, të cilat krijojnë parakushte me të volitshme për zhvillimin dhe rritjen e bizneseve, ministri Beqaj tha se pritet që rolin udhëheqës në rritjen ekonomike ta ketë sektori privat.
Ministri Beqaj tha se Kosova ka pas performance të mirë në fushën fiskale, rritje të vazhdueshme si në të hyrat e brendshme, ashtu edhe ato në kufi, që janë sinjali i mirë është se të hyrat vendore po rriten me ritme më të shpejta.
Kosova është një ndër vendet e rralla me një nivel shumë të ulët të Borxhit Publik prej rreth 9% të GDP-së dhe pavarësisht kësaj, ne kemi adoptuar një Rregull Fiskale që kufizon Qeverinë në një deficit vjetor prej 2% në vit, tha ministri Beqaj duke vlerësuar se edhe sektori financiar ka pasur zhvillime të mira.
Dhe një çështje me rëndësi, në veçanti për sa i përket bashkëpunimit tonë në të ardhmen, është se Kosova në dy vitet e fundit, ka qenë ndër TOP-Reformatorët për sa i përket krijimit të kushteve për të bërë biznes. Vetëm në këto dy vitet e fundit, ne kemi përmirësuar renditjen në raportin e Bankës Botërore për bërje të biznesit për rreth 40 vende, dhe tani renditemi në vendin e 86, tha ministri Beqaj.
Ministri Beqaj ka informuar homologun e vet kroat se Kosova është pjesë e Programit Stand-By me FMN-në, dhe se i njëjti program do të përfundoj shumë shpejt me sukses.
Pas përfundimit me sukses të këtij Programi, ne jemi pajtuar me FMN që të shikojmë mundësinë e një relacioni tani më të lehtë, për të reflektuar progresin e deritanishëm.
Duke folur për bashkëpunimin ne mes të dy vendeve ministri Beqaj ka theksuar se Kosova është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Me këtë rast dy ministrat u dakorduan për nënshkrimin e marrëveshjes mbi eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe bashkëpunimin doganor.
Pjese e veçantë e bisedës ishte luftimi i ekonomisë joformale në të cilën Kroaci ka eksperiencë të çmueshme. Me këtë rast ministri Beqaj ka theksuar se në Kosovë, në kuadër të ndërtimit të strukturave dhe forcimit të kapaciteteve që mbështesin parandalimin e ekonomisë joformale.
Ministri i Financave të Kroacisë, Slavko Liniq vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe theksoi se duhet punuar në zgjerimin dhe thellimin e raporteve politike dhe ekonomike.
Ministri Liniq shprehu gatishmërinë e Ministrisë dhe institucioneve të Kroacisë për të përcjell eksperiencat e tyre konkrete në lëmin e funksionimit të doganave dhe administratës tatime në përgjithësi dhe në luftë kundër ekonomisë joformale në veçanti.