Kërkohet aprovimi i Projektligjit për Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor
Prishtinë, 5 korrik - Si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, veçanërisht në sektorin e prodhimit, si dhe duke konsideruar mungesën e stimujve fiskal për investime të reja, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbështetur aprovimin e Projektligjit për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore.
\"Duke pasur parasysh kufizimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i prodhimit në Kosovë, krahasuar me prodhuesit në shtetet e rajonit, ky ligj do të shërbente si mjet për përmirësimin e konkurrencës së prodhuesve Kosovarë në krahasim me prodhuesit e shteteve anëtare të CEFTA-s\", thekson OEAK.
Kompanitë anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë qenë të përfshira në mënyrë aktive duke ofruar vazhdimisht rekomandimet rreth përfshirjes apo jo të produkteve dhe lëndëve të para në listën e produkteve të importuara që do të lirohen nga detyrimet doganore.
Përgjatë diskutimeve ne kemi mbajtur qëndrimin se lista e produkteve që do të lirohen nga detyrimet doganore duhet të përfshijë të gjitha lëndët e para që nuk mund të prodhohen në Kosovë, por përdoren në prodhim, dhe të gjitha produktet tjera qe nuk prodhohen ose nuk mund të prodhohen në vendin tonë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është e kënaqur me dialogun publiko-privat që u zhvillua me qëllim të diskutimit dhe zgjerimit të përmbajtjes së listës, ne shprehim shqetësimet tona për vonesat e vazhdueshme në aprovimin e këtij ligji.
Këto vonesa janë duke rritur presionin në prodhuesit vendorë dhe paraqesin rrezik për dëmtim të mëtutjeshëm të industrisë vendore.
Tani, me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe daljen e saj nga CEFTA, prodhuesit kosovarë do të ballafaqohen me vështirësi edhe më të mëdha në sigurimin e lëndëve të para me çmime të arsyeshme.
Pas dhënies së dritës së gjelbër për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Kosova do të detyrohet të ndërmarrë hapa për liberalizimin e tregut me produktet e BE-së, që do të ndikojë në rritjen e mëtejme të konkurrencës për prodhuesit vendorë.
Kjo paraqet një sfidë edhe më të madhe kur konsiderohet niveli i zhvillimit të kompanive evropiane krahasuar me ato kosovare.
Si rrjedhojë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të shpejtojnë procesin e aprovimit të Projektligjit për Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor, duke besuar se aprovimi i një ligji të tillë medoemos do të sjellë efekte pozitive në ekonominë e vendit dhe do të kontribuojë në uljen e deficitit tregtar në vend.