Kërkohet aprovimi i legjislacionit për mbështetjen e kontributeve filantropike
Prishtinë, 31 mars - Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit bashkë me Forumin për Iniciativa Qytetare /FIQ, organizuan Konferencën Kombëtare për Filantropinë.
Ky aktiviteti ka pasur si qëllim të shtjellojë rolin e filantropisë në rritjen e bashkëpunimit ndër-sektorial për qeverisje të mirë dhe të identifikojë qasjet inovative në adresimin e çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm të filantropisë në Republikën e Kosovës.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve te Republikës së Kosovës, partnerë e përfaqësues të FIQ-it përkrahës në këtë proces, përfaqësues të BE-së, përfaqësues biznesesh që e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë zhvillimin e filantropisë në Kosovë, anëtarët e Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile dhe përfaqësues tjerë nga institucionet relevante nga shoqëria civile.
Në këtë konferencë u tha se është qenësor aprovimi i legjislacionit për mbështetjen e kontributeve filantropike.
Habit Hajredini, Drejtor në ZQM tha se Qeveria e Kosovës edhe në Planin e Veprimit 2016/2017, ka parapare hartimin e legjislacionit përkatës për mbështetjen e zhvillimit te kulturës së filantropisë ne mënyre strategjike.
Ndërkaq Dajana Berisha, Drejtoreshe Ekzekutive ne FIQ, duke prezantuar rolin e filantropisë drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë tha se vendi ka nevoje për zhvillimin e filantropisë ne mënyre strategjike duke i fokusuar përpjekjet afatgjata për të adresuar shkakun e problemeve, me gjithëpërfshirjen e një mjedisi politik, ligjor dhe kulturor të mundshëm për të arritur rezultate të prekshme.
Arian Zeka drejtor i Odes Ekonomike Amerikane tha se me përmirësimin e mjedisit për biznes dhe aprovimin e kornizës përkatëse ligjore do te përmirësohen edhe kushtet për të rritur kontributet filantropike të sektorit privat, duke ndikuar pozitivisht jo vetëm në përmirësimin e mirëqenies së qytetareve por edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm.
Forumi për Iniciativa Qytetare gëzon mbështetjen e partnerëve strategjik për zhvillimin e filantropisë, sikurse janë Rockefeller Brothers Fund, Charles Stewart Mott Foundation, Komisioni Evropian dhe National Endowment for Democracy.
Konkluzionet dhe aktivitetet për realizimin e te cilave do te angazhohen Qeveria e Republikës se Kosovës dhe FIQ pas konferencës janë:
1)Te funksionalizohet trekëndëshi i bashkëpunimit qeveri-biznese-shoqëri civile;
2)Te aprovohet kuadri ligjor për mundësimin e zhvillimit te filantropisë;
3)Te investohet ne edukimin mbi rolin e filantropisë dhe ne njohjen e kontributeve filantropike;
4)Te krijohet data baze e dhuruesve.
Ekipi i punës do të fillojë angazhimin drejt realizimit të këtyre objektivave qe nga dita e sotme me datën 31 mars 2017.