Kelmendi: Po i bëjmë përgatitjet për Forumin Ekonomik Kosovë-Itali
Prishtinë, 20 janar - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Kelmendi u njoftua nga drejtori Mustafa për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik në mes të Kosovës dhe Italisë, më 31 janar 2017.
Zëvendëskryeministri Kelmendi, theksoi se bashkëpunimi me Italinë dhe pjesëmarrja sa më e madhe e bizneseve kosovare në këtë forum, është mundësi e mirë për tërheqjen e investimeve italiane në Kosovë.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, tha se po bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura për Forumin Ekonomik.
Duke parë këtë si një mundësi të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë, Mustafa ftoi të gjitha bizneset e Kosovës që të jenë pjesëmarrëse në takimin me bizneset italiane.