KE shqyrton progresin që ka bërë Kosova
Bruksel, 12 maj - Në dy takime ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian është mundësuar shqyrtimi i progresit që ka bërë Kosova që nga raporti i fundit i progresit, në nëntor 2010.
Pjesëmarrësit identifikuan hapat që Kosova duhet të ndërmarrë që të përafrohen edhe më shumë me standarde të BE-së.
Takimet ishin pjesë e dialogut të rregullt që mbahet në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Në takimin e parë të mbajtur më 11 maj në Bruksel është disktuar një spektër i gjërë i temave si: zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, kapaciteti administrativ i organizatave tatimore dhe doganore në Kosovë dhe çështje që kanë të bëjnë me tregtinë dhe investimet.
Më 12 maj, në diskutime u përfshinë çështjet nga politikat e punësimit dhe mirëqenies sociale e deri te arsimi, hulumtimi, rinia si dhe promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.
Konkludimet përcjellëse të këtyre takimeve do të kenë ndikim në progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane si dhe do të pasqyrohen në Raportin e Progresit për vitin 2011.
Në fushën e doganave dhe tatimeve, dy institucionet raportuan në performancën e të hyrave dhe për mënyrat e rritjes, si dhe për masat e ndërmarra për të luftuar korrupsionin.
Komisioni Evropian pranoi se lufta kundër korrupsionit është një parim udhëheqës i qeverisë, ndërsa theksoi rëndësinë e masave për uljen e ekonomisë informale për vendosjen e konkurrencës së drejtë ndërmjet kompanive dhe për të rritur të hyrat publike.
Autoritetet kanë shpjeguar në hollësi strategjitë e tyre për stimulimin e zhvillimit të sektorit industrial dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë.
Këto strategji duhet të përvijohen me programin ekonomik të publikuar në kohët e fundit nga qeveria e re. Komisioni Evropian ka mirëpritur strategjitë, si dhe theksuar se sfida kryesore do të qëndrojë në implementimin e tyre.
Në këtë aspekt, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe agjencitë e saj, si dhe Ministria e Ekonomisë e posaformuar, do të jenë institucionet kryesore për krijimin e parakushteve të duhuara për zhvillim industrial dhe të NVM-ve.
Përfaqësuesit e Qeverisë kanë raportuar edhe për masat e ndërmarra për tërheqjen e investimeve të huaja, rrjedhat tregtare të Kosovës dhe kryesimi i Marrëveshjes së Tregtisë në Evropën Qendrore (CEFTA) në vitin 2011.
Shërbimet e Komisionit vlerësuan informatat e dhëna dhe theksuan rëndësinë e kryesimit të suksesshëm të CEFTA-së me qëllim përfundimtar për të lehtësuar dhe stimuluar flukset tregtare dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve përkatëse.
Në takimin e dytë të mbajtur më 12 maj në Prishtinë, Komisioni morri parasysh reformat në vazhdim e sipër në këta sektorë duke kujtuar se fuqizimi i kornizave ekzistuese ligjore dhe strategjike duhet të jetë prioritet për Kosovën.
Sa i përket punës dhe mirëqenies sociale, Komisioni ka mirëpritur nxjerrjen e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Grevë. Komisioni inkurajoi qeverinë për përmirësim të mëtejmë të kornizës ligjore, përfshirë këtu menaxhimin e fondeve sociale.
Për përforcimin e shërbimeve publike të punësimit nevojitet implementimi i mëtejmë i Strategjisë së Punësimit dhe planit të veprimit për ndërtimin e kapaciteteve.
Ka ardhur koha që Kosova të përmirësojë dialogun social përmes nxjerrjes së Ligjit për Sindikata si dhe duhet të nxerret ligji për këshillin social dhe ekonomik.
Sa i përket arsimit, Komisioni ka theksuar përpjekjet për përmirësimin e kornizës strategjike drejtë një sistemi arsimor me kualitet dhe përfshirje më të madhe në harmoni me standardet e BE-së.
Fuqizimi i kornizës së re të planprogramit mësimor do të përfaqësojë një fazë të re të reformës arsimore.
Prandaj, Kosova është inkurajuar të ndërtojë kapacitete në nivelin qendror dhe lokal për fuqizimin e politikave ekzistuese.
Këto takime janë bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Zgjerim. Autoritetet e Kosovës rikujtuan rëndësinë e agjendës së BE-së për adresimin e sfidave ardhshme të Kosovës, përfshirë këtu përmirësimin e kapaciteteve administrative.