KE lavdëron Kosovën për reformat në ekonomi
Prishtinë, 12 korrik - Në kuadër të dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të katërt do të dorëzoj në Komisionin Evropian, Programin e Reformave në Ekonomi.
Duke u bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 30 qershor 2017 për procesin e përgatitjes së Programit për Reforma në Ekonomi 2018-2020, në emër të Koordinatorit Nacional, Ministrit të Financave Avdullah Hoti, sot u mbajt takimi lansues i këtij procesi.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe OECD-së, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku u prezantuan ndryshimet në udhëzimet e Komisionit Evropian, strukturat koordinuese si dhe kalendarin për përgatitjen e PRE-së.
\"Kjo gjithashtu do të përfshijë një përmbledhje të mësimeve të nxjerra nga cikli i kaluar, si dhe fushat e nevojshme për përmirësim, përmbledhjen e të gjeturave nga vlerësimi i Komisionit Evropian për programin e kaluar, shqyrtimin e zbatimit të masave të programit të kaluar dhe rekomandimeve të politikave nga Konkluzionet e përbashkëta të dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, të datës 23 maj 2017, Instrumentet e ndryshme të mbështetjes së procesit nga KE dhe OECD, që do të ketë fokus të veçantë ministritë përkatëse të përfshira në proces, si dhe prezantimin e metodologjisë së monitorimit të përgatitur nga ekipi i OECD-së\", thuhet në një komunikatë të MF-së.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, në emër të Koordinatorit Nacional për hartimin e dokumentit Programi për Reforma në Ekonomi (ERP) si pjesë e dialogut ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës, ka bërë hapjen e këtij takimi, ku ka theksuar se në këtë proces, institucionet që ne përfaqësojmë kanë bërë një punë të madhe në forcimin dhe avancimin e këtij dialogu.
Siç mund të jeni në dijeni, vlerësimet që kemi pranuar për dokumentet e viteve të kaluara kanë qenë mjaft pozitive. Me këtë rast dua të ndalem një moment dhe ti falënderoj koordinatorët e fushave për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm. Si rezultat i punës suaj, edhe ERP 2017 është vlerësuar shumë mirë nga Komisioni Evropian, qoftë për nga cilësia e informatave, koordinimi i procesit, ndërlidhja me kornizën strategjike, kostimi apo ndërlidhja me kornizën buxhetore, ka thënë Krasniqi.
Ai gjithashtu ka thënë se këto vlerësime janë njohje e suksesit tonë të përbashkët, sidomos duke pasur parasysh se dorëzimi i këtij dokumenti na vë në nivel të barabartë me shtete që janë më të avancuara se ne në procesin e European Semester. \"Prandaj, është shumë e rëndësishme, që ky trend pozitiv në cilësinë e dokumentit të vazhdojë edhe në të ardhmen, ka thënë Krasniqi.
Zëvendësministri Krasniqi ka theksuar se duhet të ndërtohet qasje gjithëpërfshirëse gjatë tërë procesit të hartimit të këtij dokumenti. \"Si koordinatorë të këtij procesi ne do të punojmë në drejtim që ERP 2018 të ketë pronësinë dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme politike, ka thënë ai.
Këtë vit për shembull është risi përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat qysh në fillim të procesit, duke mundësuar kështu konsultim të gjerë të reformave të përzgjedhura. Prandaj presim që këto organizata të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në pasurimin e dokumentit dhe përzgjedhjen e prioriteteve të cilat adresojnë problemet me të cilat ballafaqohen gjatë aktiviteti të tyre ekonomik, ka thënë në fund zëvendësministri Krasniqi.