KE e vlerëson lartë Programin për Reforma Ekonomike të Kosovës
Prishtinë, 6 mars - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni Evropian, i kryesuar nga Uwe Stamm, shef i Njësisë, Drejtoratit Gjeneral për Ekonomi dhe Financa, të cilët po qëndrojnë në Kosovë me qëllim të vlerësimit të dokumentit të Programit për Reforma në Ekonomi (PRE) 2018-2020 të hartuar nga Institucionet e Qeverisë së Kosovës.
Bashkë me delegacionin e Komisionit Evropian dhe z. Uwe Stamm, ministri Bedri Hamza, në cilësinë edhe të Koordinatorit Nacional të Programit për Reforma në Ekonomi para delegacioneve tha se “Është kënaqësi e veçantë që pas një pune të gjatë të hap këtë takim sot për të ofruar arsyetimin mbi masat të cilat i kemi përzgjedhur si më me ndikim në transformimin e ekonomisë sonë”.
“Politika jonë ekonomike ka një qëllim të qartë, që ta zhvillojmë sektorin privat në mënyrë që të jetë bartës i rritjes ekonomike të vendit për këtë qëllim do të punojmë për largimin e pengesave për realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës. 20 masa të reformave tashmë janë përditësuar për të reflektuar programin e ri qeverisës”, shtoi Ministri Hamza.
“Po ashtu sot duhet veçuar, se politikën tonë ekonomike e integrojmë në procesin e përgjithshëm të integrimit evropian, në një kornizë konsultimesh që na lejon që vazhdimisht të përfitojmë nga ekspertiza e komisionit, dhe vazhdimisht të përmirësojmë procesin tonë planifikues.”, shtoi Ministri Hamza.
Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Komisionit Evropian, Uwe Stamm shef i Njësisë në Drejtorinë Gjenerale të Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian, bëri të ditur se delegacioni i Komisionit Evropian ka pasur sot një takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm me Ministrin Hamza dhe ekipin e tij, ku na informuan për zhvillimet e deritanishme në reformat ekonomike në vend.
Ai bëri të ditur se kishin kënaqësinë të shohin pikëpamjet evropiane në Programin për Reforma Ekonomike, që është dorëzuar nga pala kosovare, e që është një dokument i cilësisë së lartë”.
“E arritur e mirë është se Programi i Reformave Ekonomike nuk do të vlerësohet vetëm nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Qendrore Evropiane, por do të shqyrtohet edhe nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo mund të jetë një kartë e mirë për Kosovën në rrugën e saj integruese sepse shtetet anëtare të KE-së i shohin këto programe me shumë interes”, shtoi z. Stamm.
Ai gjithashtu theksoi se “Ata janë të interesuar në bashkëpunimin me ju dhe vendet të cilat kanë stabilitet makrofiskal dhe vendet që dinë ti trajtojnë sfidat, dhe kjo është mënyrë për të promovuar idetë tuaja dhe mos e harroni këtë që kjo është shumë e rëndësishme për vendin”.