KDI: Stop vendimeve për interesa personale

Prizren, 3 maj - Instituti Demokratik i Kosovës reagon ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për lejimin e shkuarjes së anëtarëve të Kuvendit në ekskursione me parat e taksapaguesve të qytetarit prizrenas.
KDI thekson se duhet përmendur faktin se anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e dhjetorit të vitit të kaluar, kishin marrë vendim që për vetën e tyre dhe të gjithë shërbyesit civil të marrin dhurata për festat e fundvitit.
Vendimi i tillë sipas KDI i kushtojë qytetarëve të Prizrenit hiç më pakë se 46 mijë euro duke mos hyre në procedurat tenderuese, procedura këto të cilat ishin në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik.
Duke u bazuar në nenin 38 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale i cili thotë anëtari i kuvendit të komunës apo anëtari i komitetit nuk mund të jetë pjesëmarrës në marrjen e vendimeve dhe në procedurat administrative që kanë të bëjnë me cilëndo çështje në të cilën ai ose ajo, apo ndonjë anëtar i afërt i familjes së tij apo saj, ka interes personal apo material.
Çdo anëtar duhet ti shfaqë të gjitha konfliktet e interesit që lindin në çdonjërën prej mbledhjeve në të cilën është prezent. Çdo këshilltar mund të ofrojë informacione për interesat e anëtarit tjetër.
KDI konstaton se vendimet e tilla të Kuvendit të Komunës së Prizrenit bien ndesh me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ku të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës kanë konflikt interesi, meqë vendimi i tillë për shkuarjen në ekskursion është vendim i dëfrimit dhe qejfit të tyre pa u ndërlidhë me interesin qytetarë.
Të gjithë anëtarëve të cilët kanë votuar vendimet e tilla jua përkujtojmë nenin 35.4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale i cili thotë të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës duhet ta nënshkruajnë betimin solemn.
Në marrjen e mandatit të juaj, Ju përfaqësues të qytetarëve dhatë këtë betim Betohem se do ti kryej me nder, me besnikëri, pa anime e me ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do ti ushtroj autorizimet e mia si këshilltar i kuvendit të komunës së Prizrenit, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë.
Vendimet e tilla të Kuvendit të Komunës së Prizrenit tejkalojnë mandatin e kuvendit si institucion më i lartë i vetëqeverisjes lokale, aq më tepër kur shihet servilizëm i tepruar i subjekteve politike dhe i gjithë anëtarëve të kuvendit që të përkrahen vendimet e tilla.
Këto vendime sipas KDI-se flasin hapur që partia në pushtet ka ngulfat këtë institucion në marrjen e vendimeve pa diskutime të mirëfillta dhe marrjen e vendimeve në interes personal të të gjithë anëtarëve, duke vënë në rrezik përfaqësimin dinjitoz dhe interesin e qytetarit.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të tregohen parimorë dhe të shfuqizojnë vendimin për shkuarjen në ekskursion dhe të reflektojnë më shumë interesin e përgjithshëm qytetarë.
\"Në të kundërtën shkuarja e anëtarëve të Kuvendit të komunës së Prizrenit në ekskursione për dëfrim dhe qejf të tyre tejkalon përgjegjësinë e votës që kanë marrë këta zyrtarë dhe janë mandatuar që të japin kontribut në të mirën e përgjithshme\", thekson KDI.