KDI: Stop betonimit, kërkohet hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni
Prizren, 16 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një konference për media ka shpalosur qëndrimet dhe propozimet për pronën komunale e cila ka qenë e shfrytëzuar nga operatori ekonomik Ben-af.
Komuna e Prizrenit me datë 28.02.2002 ka nënshkruar kontratë me Ben-af për shfrytëzimin e pronës komunale në ngastrat kadastrale nr.7140/1 dhe nr.7141 me sipërfaqe të përgjithshme prej 85.93 ari në lokacionin-kompleksi Ortakoll. Pos kontratës bazë, Kuvendi Komunal i Prizrenit në vitin 2008 dhe 2012 kishte nënshkruar edhe ankesa kontratë me operatorin në fjalë për ti mundësuar kësaj të fundit shfrytëzimin e pronës publike deri në 30.06.2016.
Naim Cahani zyrtari i KDI-s tha se duke mos dashur të vlerësoje procedurat e zgjatjes së kontratës me operatorin ekonomik meqë për rastin në fjalë është ngritur hetim nga organet kompetente dhe duke parë gjendjen ekzistuese të kësaj prone komunale, duke parë tendencat që kjo pronë komunale të kthehet në ndërtim dhe betonim, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon që prona e tillë komunale tju kthehet qytetarëve në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacion.
Mungesa e hapësirave publike dhe uzurpimi i saj paraqesin ndër problemet me të theksuara për banoret e lagjeve të qytetit të Prizrenit. Në qytetin e Prizrenit brenda zonës së banimit aktualisht ekziston vetëm një hapësirë gjelbëruese (park) me përmasa më të gjëra që mund të cilësohet si hapësirë që i plotëson nevojat për rekreacion dhe shëtitje të qytetarëve.
Jeta dinamike, mungesa e hapësirave rekreative brenda lagjeve të Prizrenit dhe mungesa e parqeve brenda zonave të banimit shtonë domosdoshmërinë që qasja në planifikimet urbane të ndryshojë. Planet Rregulluese të dy lagjeve të cilat tanimë janë kthyer në ndërtesa kolektive dhe të betonuara tej mase, janë pa hapësira gjelbëruese dhe rekreacioni.
Tanimë Prizreni dhe banorët e disa lagjeve por edhe të gjithë qytetarëve mund të kenë hapësirën gjelbëruese (parkun). Kthimi i pronës komunale 85.93 ari dhe integrimi i parcelave tjera përcjellëse të pronës komunale në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni është zgjidhja adekuate.
Kësisoj, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) duke parë si të nevojshme hapësirat gjelbëruese dhe rekreative për qytetarët e Prizrenit rekomandon institucionet lokale që sa më parë të ndalojnë tendencat e uzurpimit të kësaj prone komunale dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm që kjo pjesë të mbetet si hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni (park) për qytetarët prizrenas; dhe nëse është nevoja të fillohet edhe me ndryshimin e dy planeve rregullative ekzistuese përfundoj Cahani.